E premte, Shtator 20, 2024
KreuHistoriTre breza-Tri histori

Tre breza-Tri histori

N’Bajz t’Kastratit u ndez flaka,

Thonë e ndezi Gjeto Daka….

Gjeto Daka-Luftëtari për Pavarësi, burrë i gjatë, shpatullgjërë, i mprehtë ,me vetulla të trasha, ku të zhbirojnë si turjela dy sý të vëmëndshëm me mustaqe të gjata, bishtat e të cilëve vareshin deri poshtë buzëve të holla.  Luftëtari për pavarësinë e Shqipërisë, Gjeto Daka, (gjyshi i Pashko dhe Zef Popaj), paraqet modelin e patriotit dhe atdhetarit të flaktë që për integritetin dhe lirinë e vendit të vet nuk kursen as jetën. Heroizmi trimëria dhe dashuria e Gjeto Dakës për atdheun sillen të freskëta deri në ditët tona përmes këngëve të popullit:

N’Bajz t’Kastratit u ndez flaka,
Thonë e ndezi Gjeto Daka
Gjeto Daka flet një fjal
Kush i thot sot vedit djal
Në mejdan duhet me dal.
Turrin turkut me ja ndal,
Turrin turkut me ja lodh
T’ja kthejm kàmët per Stamoll.

Vasel Pjetri djal i ri,

Po vi vet mor axh me ty,

Kallzoj nipit ka me msý,
Se n’barot zemra m’asht fry…
Gjeto Daka e Gjeto Deda,
Po luftojn si dy kulçedra,
Kërcet pushka në Mokset,
Djelt e Bajzës bajn gajret.
Gjeto Daka vjen të shpella,
Kërkun plumit s’poj ban dredha
Nëpër luft gjithkun ku ràká
Kurrkush emnin mend s’ja màkà,
T’tan poj thirrkan Gjeto Flaka…

TOM LEK DAKA
I PERSEKUTUARI I REGJIMIT 

I papajtueshëm me regjimin gjakatar komunist të Enver Hoxhës, Tom Lek Daka u bashkua shpejt me atà që luftuan me armë kundër komunizmit dhe me 23 Mars 1945 u pushkatua duka lan të birin, Lulashin, si trashëgimtar në moshën 3 vjeçare. Të cilit përveç dashurisë për atdheun i là si amanet luftën kundër çdo lloj diktaturë i là gjithashtu edhe peshën e ràn të persekutimit që do ta shoqëronte deri në ditët e fundit të jetës si shpërblim i aspiratës dhe përpjekjeve për liri të babait të tij. Tom Lek Daka, një inxhinier duarartë, me një kulturë të gjërë, një intelektual që i duhej kombit por jo  diktaturës komuniste.


PASHKO TOM POPAJ
MISIONARI I PAJTIMIT

Pashko Tomen (Popaj) të shumtën e kohës nuk e gjen në shtëpinë e vet dykatëshe, ku dallohet qysh larg nga ngjyrat e flamurit kombëtar që valëvitet në kulmin e saj, në Vukpalaj, sipr aksit nacional Koplik-Hot. Ai “bredh” papushim sa në një fshat në një tjetër e jo vetëm në Malësinë e Madhe. Si kryetar i “Misionarëve të Pajtimit të Gjaqeve”, bashkë me Nikoll Preken e Hotit, Palok Lunin e Bajzës, Seladin Zogun e Gradecit, Col Cufin, Smajl Rexhën, Emin Spahinë, Mustaf Dainë e shum burra të tjerë të urtë, fisnikë në shpirt e zemërbardhë, që me fjalët e tyre të mënçura shërojnë plagët e mallkuara të gjakmarrjes dhe me shum vullnet, mundim e dashuri bëjnë aq sa mundin për t’i shuar krojet e gjakut që aq llahtarshëm janë shtuar kohët e fundit edhe në Malsinë e Madhe e zona të tjera të veriut të vëndit. Njerëz të tillë si Pashko Toma,  mbartin me vehte dhe manifestojnë virtytet më të mira të trashëguara qysh nga thellësia e shekujve e deri në ditët e sotme. Malsia e Madhe krenohet dhe do ti nderojë përjetësisht këta burra që nuk reshtin në misionin e tyre fisnik “PAJTIMIN” .

                 Rifat Ymeri
Dhjetor 1997, Gazeta “Malësia”

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Shkrimet e fundit