E shtunë, Maj 4, 2024
KreuHistoriKalldruni, nga Ndue Bacaj

Kalldruni, nga Ndue Bacaj

KALLDRUNI  NË  NJË HISTORI TË  SHKURTËR..!

Kalldruni që shohim sot , është padyshim një qender e banuar shumë e hershme. Kalldruni si vendbanim  filloi  të  “njihet” jo shumë kohë pas pushtimit të Ilirisë nga perandoria romake , veçanarisht pasi banorët e qytezës të fortifikuar të Marshenjt , u detyruan të shperngulen nga viti 33 para erës sonë (e në vazhdim gjatë shek.I-re pas erës sonë) poshtë në fushë , në afersitë liqenit të Labeatëve (sot i Shkodres) , apo më sakt në trojet e Kalldrunit…  Nderkohë që qyteza e fortifikuar e Marshenjt u kthye në një qender  garnizoni ushtarak të pushtuesve romak.1. Emri i qendrës së banuar që më vonë do ta njohim me toponimin Kalldrun , deri në këtë shperngulje të popullsisë së qytezës së Marshenjt nuk dihet . Edhe  qyteza e fortifikuar e Marshenjt në atë kohë kishte një emër tjetër , siç e njoftojnë studiues e gjeograaf të asaj kohe e më vonë..  Emri i parë i qytezes së fortifikuar të Marshenjt ka qenë Sinna apo Cinna. Emër që duket se  lidhej  me nënfisin  me emrin Kinebar që perfshihej në fisin e madh Ilirë të Labeateve , që banonin thuajse tërë trojet e  Malesisë Madhe Etnike të asaje kohë e më gjërë. Gjeografi i njohur i shekullit II mbas erës sonë , Ptolemeu që jetoi në Aleksandri në vepren e tij “Gjeographia” ,libri II ,në “kapitullin” vendi që zë Iliria, kur i vjen radha të shenojnë qytetet si Skodra (Shkodra), Doklea (Dioklea),shenon edhe emrin e qytetit Kinna (Cinna), me pozicionet gjeografike 45 grad e 40’ dhe 42 grad e 30’..Ndersa te një autor tjeter  antik i shekullit II të eres sonë (Appianus tek vepra Illyrica)  permendet perseri kjo qyteze. Gjithashtu  ketu shkruhet se Kinebaret qënë banoret e një mikrokrahine midis qyteteve  Scodra (Shkodra) e Dioklea ,të cilet si një nënfis i vogel ishin perfshirë në fisin e madh të Labeateve . Qenderbanimi i tyre ka qënë Cinna (apo Sinna) e cila njekohesisht ishte një stacion i rendesishem rrugorë.. Një burim i rendësishëm  per studimin e rrugëve  antike janë të ashtuquajturit itinerarë (nga lat.iter-itineris= rrugë). Keto paraqesin në vetvete  lista rrugesh dhe harta grafike , në të cilat janë të shenuara drejtimet që ndiqnin rruget ,stacionet e tyre dhe largësitë… Një rendesi të madhe midis itinerareve të ruajtura ka edhe Tabula Peutingeriana (shek.III-IV) nga e cila mësojmë se kur pershkruhet rruga nga lumi Arsia (Kastelnovo) nepër Salonë (Dalmaci) e deri në Dyrrah (Durrës) ,shenohet emri Sinna ,ndersa kur pershkruhet rruga nga Salona në Dyrrah e gjejmë të shkruar  Cinna..2. Është interesant se toponimi Sina apo Cina gjindet pas shkullit të dytë edhe në trojet  e Kalldrunit të sotem. Gjë që tregon se ketë emer e sollen (në Kalldrun e Koplik) banorët e “ri” që kishin zbritur nga  qyteza e fortifikuar Sina apo Cina (Marshenj). Arkeologët Skender Anamali dhe Damian Komata  duke ju referuar  shenimeve të  H.  Kiepert ,(Forme ORBIS Antique  XVII) , shkruajnë se : “ Në lidhje me identifikimin  apo lokalizimin e Cinnas janë shfaqur disa mendime . per tu marrë në konsideratë  sipas mendimit tonë  është perveç Kalldrunit, Koplikut me periferin e tij   edhe Mrashenji…3.  Vlen të shenohet se pas çvendosjes të popullsisë të qytezës së  Marshenjt në Kalldrun , filloi të marrin jetë edhe një rrugë tjeter me rendesi strategjike , ajo në afersi të bregut të liqenit , rrugë që kalonte nga Hoti , Kosani nëpër Kalldrun  e deri në Shkodër. Thuhet se  nga Kalldruni në Shkoder mund të shkonte macja pullaz në pullaz , gjë që tregon se nga Kalldruni në Shkodër , kishte një seri ndertesash , të një qendre të banuar që fillonte në Kalldrun e mbaronte në Shkodër… Rruga që sipercituam ishte një rrugë “alternative” e asaj  që kalonte nga Shkodra – Marshenj- Hot e vijim per në Dalmaci… Kjo rrugë që pershkonte Kalldrunin është mbajtur mend duke u trashiguar nga njëri brez në tjetrin. Edhe sot nga të moshuar të Kalldrunit e më gjërë kujtohet ajo rrugë që të çonte në Shkodër , rrugë e cili ishte shfrytëzuar per shekuj edhe nga banorët e Buzë-Ujit e më gjërë per të shkuar në Shkodër (siç ishin ato kohë , në këmbë , me qerre apo kafshë  që perdoreshin per transport). Kjo rrugë është prishur perfundimisht rreth viteve 60-të shekullit XX-të , në kohen e kooperativizmit të regjimit komunist.

Pak “fjalë” për Kalldrunin arkeologjik

Keto që shenuam më sipër per Kalldrunin si qendër shumë e hershme banimi i vertetojnë “saktësisht” edhe  zbulimet arkeologjike (në varrezat e Kalldrunit), të pershkruara me profesionalizëm nga arkeologët dhe historianët shqiptar ;Skender Anamali dhe Damian Komata: “ Në vitin 1962 , në  fshatin Kalldrun të Koplikut , gjatë punimeve bujqësore u zbuluan disa objekte arkeologjike…. Gjatë punimeve bujqësore  , aty ishin ndeshur edhe rrënoja muriesh  të ndertuara me gurë e llaç gelqere… Keto zbulime të rastësishme  u bënë shkas per kerkime të thelluara arkeologjike. Gërmimet me karakter shpetimi … treguan se aty shtrihej një varrezë e vogël e lashtë. U zbuluan gjithseit shtatë varre…4.  Në keto varre ose pranë tyre u gjeten gurë varresh (stela me mbishkrime…) , enë prej balte , qeramike , hekuri , bronzi e qelqi.. U gjeten almise pune (gozhdë , kllapë , reze hekuri , gjilperë etj) , ornamente të ndryshme (fibula , togza…) ,  si dhe monedha periullave të ndryshme historike.: Monedhat që tregojnë kohen më të hershme është ajo e Oktavian Agustit –viti 27 para erë sonë deri në vitin 14 të erës sonë , dhe  një monedhë të Vespasianit  të viteve 67-79 të erë sonë…per të vijuar me monedha të shekujve III- e IV të erës sonë e më vonë. Monedhat në pergjithsi ishin prej bronzi. Interesant ështëgjetja e një figure të vogël bronzi  të hyut Lar… Me interesë është padyshim zbulimi i një shumice monedhash  argjendi , të Dyrrahut , të Apolonisë , të periullës 225-100 para erës sonë , si dhe disa monedha romake  të perandorëve  Darian , Gordian III  , Kostandini i Madh etj.5.  I cilesuam keto matriale të gjetura per të “treguar” se kultura e zhvillimit e qytetrimit ishte e njëjtë  me trevat e tjera të Ilirisë..

Të dhëna per vijim e jetës në qendrën e banuar –Kalldrun

Se kur fshati apo qendra e banuar me emrin e sotem Kalldrun , e mori ketë emër është e vështirë të percaktohet me saktësi., per arësye se pushtimet e ndryshme pas atij të perandorië romake të perendimit , mbi trojet tona do të kalonte per shekuj pushtimi Bizantin (ose perandoria romake e lindjes) e perzier me pushtime  të “perkohshme” sllave, si ato bullgare të Car Simeonit , ato serbe të Stefan Nemajes , Stefan Dushanit e tjerë , pushtime që ndryshuan e ngatërruan edhe mjaft nga toponimet e vendeve e trojeve Iliro-Arbnore-Shqiptare… Vendbanimin e sotëm Kalldrun e gjejmë me informacione të sakta në regjistrin e kadastres dhe koncensioneve të viteve 1416-1417, perpiluar nga pushtuesi Venedikas.  Në ketë regjister  shenohet emri  Kaldiron ,  në të cilin janë të shenuar emrat e 50 kryefamiljarve , që perfaqesonin 50 shtepia . (Emrat në pergjithsi kanë pasuar “tingëllim” sllav , si rezultat i “trashugimisë” të pushtimeve  sllave e veçanarisht i kohes të pushtimit sllav të udhëhequr nga despoti serb Stefan Dushani (1330-1355), por edhe të shkruesit (regjistruesit) të oborrit  sllavisht , Thomas  Skjavi , që në vitet 1416-1417 , pushtueesi venedikas e quan si të parë të Kaldironit (Kalldrunit). Në regjistrin e Kadastres të ketyre viteve janë shenuar taksa të ndryshme që vilte  pushteti në ato kohë , Në regjister janë të shenuara  emra vreshtash dhe siperfaqja e tyre . Kalldruni kishte disa vreshta  , por pershtypje na bënë se një tokë (në atë kohë e regjistruar si vresht) me emrin apo toponimin vreshtat e Sopotit  , ka rruajtur emrin edhe sot pas më shumë se 600 vitesh –Sopote. Po në ketë regjister duke parë kufizimet e tokave vreshta apo arë , kemi të cilësuar rrugën publike , që e kemi permendur më siper. Vlen të shenohet se në ndonjë fletë të regjistrit në fjalë emri i Kaldironit shenohet edhe Kalderon  e Kadrun.6.  Është interesant të shenohet se si një shtetar i njohur i asaj kohe , me emrin Marino Bonzi ndihmoi  më 1417  banorët e Kalldrunit  të zbatonin një sistem më të drejtë  detyrimesh.7.  Ndersa në verë të vitit 1429 kur  vijonin  edhe sulmet disi sparodike të pushtuesve Osman , dhe banorët e Kalldrunit si dhe  banoret fshatrave te tjerë duhej të mbroheshin vetë nën udheheqjen e kryeparëve të tyre , kishte ra  në keto luftime njeri nga burrat më të rendësishem të krahines , kancelari  i Shkodres dhe  kapiteni i Koplikut e Kalldrunit , Thoma Sklavo..8.  Po nga ky burim mësojmë se në vitin 1446 Georg dhe Nikola Sclavo , si dhe nipi i tyre Nikolla  morën kryesinë e fshatit Kalldrun…9.  Gjithashtu në vitin 1448 Venediku  shperblen  Koja Humojn  duke e caktuar  Kapiten të kalldrunit  në liqen të Shkodres në vend të Georg Sclavos  që kishte  vdekur….10.  Nëse disa qendra të banuara…  , nuk kishin ndonjë fuqi që të  mbronin banorët nga osmanët… qofshin keto edhe qytete e fshatra , disa u qendruan  rrëmujrave luftarake deri në shperthimin e luftës së gjatë turke me një vijimsi të habitshme , ku në ketë kohë del në pah  qartë deshira per mbijetesë ,per shembull në fshatin Kalldrun , i cili u rindertua mbas një sulmi…11.  Më gjithë ketë qendresë edhe Kalldruni si qendër e banuar e rëndesishme e Koplikut e më gjërë në vitin 1479 do të pushtohej nga perandoria turke-osmane. Në vitin 1485 , pra vetëm gjashtë vite  mbas pushtimit qeveria turke-osmane do të bënte regjistrimin e popullsisë , pronave , dhe të ardhurave të tyre me qellim taksimin… Nga ky regjistrim “mësojmë” se në ketë regjistrim Kalldruni , figuronte me emrin apo toponimin Kadrun , dhe kishte  emrat e 70  kryefamiljarëve , dhe 17 beqarëve , duke perfshirë edhe emrat e kryefamiljareve që ishin  ngarkuar t’u  sherbejnë anijeve që levizin në liqen si dhe urës që ndodhet mbi lumin e Bujanës (Bunës). Gjithashtu ketu janë shenuar taksa të ndryshme të produkteve , si grurë ,. Elbë , mushtë , bletë , perime , derra , dru e tjerë…12.  Duke parë emrat e kryefamiljarve të Kalldrunit , konstatohet lehtë , tarshigimia e emrave me tingull sllav , pasi siç dihet ortodoksia do të ishte bashkëpuntoria e perandorisë turke-osmane pas pushtimit të Kostandinopojes në maj 1453 , të ciles osmanet i vunë emrin Stambollë.  Në regjistrimin e vitit 1582 të pushtuesve turko-osman, Kalldruni është i shenuar me emrin Kadrun dhe ka 27 shtepia (familje) e 6 beqar  të besimit kristian , si dhe 7 shtëpi (çifte) të besimit musliman..13.  Gjendja e banorëve të Kalldrunit , thuajse nuk pasqyrohet më në asnjë relacion , me ekzaktësi , pasi në shek.XVII e XVIII ka një levizje demografike nga njera trevë në tjetren. Nga  Kastratit gjatë shek.XVIII  do të leviznin në drejtim të Buzës Ujit e më gjërë shumë familje nga ato që popullojnë sot edhe Kalldrunin e Jubicen e tjer… Më pas në Kalldrun do të vinin të banonin edhe familje nga Shkreli , Hoti e tjer… Ndersa per popullsinë e “vjeter”deri në shek.XVII nuk kemi gjetur “njoftime” që vertetojnë “fatin” apo levizjen e tyre në treva të tjera. Islamizimi i asaj popullsie që banon Kalldrunin në pergjithsi “perkon” me levizjen e kesaje popullsie nga zonat malore në ato fushore (afersisht gjysma e dytë e shek.XVIII- (pas vitit 1750). Pas shpalljes së pavaresisë 1912 e deri në vitin 1944 , per Kalldrunin shenohet se kishte nga 35-45 shtepi , me rreth 300-350 banorë , ndersa nga viti 1944 e deri në vitin 1991, Kalldruni arrinë në 115 shtepi  me 540 banorë .  Sot në fillimet e shek.XXI , Kalldruni banohet  prej 150 shtepiash  dhe rreth 780 banoresh  të regjistruar ,  e themi të regjistruar në librat e gjendjes civile , pasi një pjesë jo e vogël e kesaje popullsie është në emigracion….14.  Për etimologjinë e emrit Kalldrun   nuk ka një studim të mirfilltë. Populli këtë emer e mendon se rrjellë nga “fjalët” Kal – druni , ku duke i bashkuar japin fjalen Kaldrun , ose Kalldrun. Ka edhe mendime të  tjera që  thonë se emri i Kalldrunit rrjellë nga fjala Kalldrëm , me të cilin ishte e shtruar rruga publike që ndodhej në krye të fshatit Kalldrun….

Referencat:

1.Skender Anamali dhe Damian Komata ; Varrezat e Kalldrunit , Kumtari i   Muzeut popullor. Shkodres 1978 , fq.105 – 106. 

2.Ilirët dhe Iliria  te autorët antikë , fq.267, Akademia e shkencave të Shqiperisë , Instituti i Arkeologjisë , perg. nga Selim Islami ,Frano Prendi ,Hasan  Ceka , Skender Anamali.

3.Skender Anamali dhe Damian Komata ; Varrezat e Kalldrunit , po aty ,fq.105-106. 

4.Skender Anamali dhe Damian Komata ; Varrezat e Kalldrunit , po aty ,fq.96-98. 

5.Skender Anamali dhe Damian Komata ; Varrezat e Kalldrunit , po aty ,fq.102-104. 

6.Më hollesisht mund të mësohet nga Regjistri i Kadastres dhe koncensioneve per rrethin e Shkodres 1416-1417 , fl.39/a , 39/b , 40/a , 40/b , 41/a , 41/b , fq.49-52 , perg. per botim nga Injac  Zamputi me miratimin e Akademisë së shkencave të R.Shqiperisë , Instituti i Historisë , Tiranë 1977. 

7.Oliver Jens Schmitt ; Arbëria Venedike  -1392-1479, fq.381 , Tiranë 2007. 

8.Oliver Jens Schmitt , po aty fq.281. 

9.Oliver Jens Schmitt , po aty fq.478. 

10.Oliver Jens Schmitt , po aty fq.487. 

11.Oliver Jens Schmitt , po aty fq.550.

12.Defteri i sanxhakut të Shkodres i vitit 1485 (vll.I) , fq.375-376 , Akademia  e shkencave të R.P.Shqiperisë , Instituti i Historisë , perg nga Selami Pulaha , Tiranë 1974. 

13.Perparime Huta ; Fshati në sanxhakun e Shkodres  në shekujt XV-XVI , fq.142 , Akademia e shkencave RPS të Shqiperisë , Instituti i Historisë , Tiranë 1990.

14.Regjistrat e gjendjes civile të Bashkisë  Malesi  Madhe ,  zyzra e gjendjes civile e njesisë administrative  Qender Koplik.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Shkrimet e fundit