Retorika anti-BE nga Ankaraja/ Soreka i kujton Ramës qindra miliona euro ndihma

0
276
Rama - Erdoganm - Sorecca

Disa qindra vaksina, që Edi Rama nuk dihet se ku i gjeti për mjekët shqiptare, u injektuan në opinionin publik bashkë me helmin e retorikës kundër Bashkimit Europian, jo thjesht si pakënaqësi për moshapjen e negociatave, por edhe për atë që në 1 Janar, kryeministri shqiptar e quajti “egoizmi dhe cinizmi i frikshëm në kontinentin ku jetojmë”. Që në ditën e parë të vitit, Edi Rama foli për një hendek, që u hap mu në mes të Europës, nga “vendimmarrja absurde, e papranueshme moralisht, e pakuptueshme politikisht dhe e pajustifikueshme edhe logjikisht e Bashkimit Europian”.

“Si njeri, tha Rama jam ndjerë i indinjuar dhe si europian jam ndjerë i turpëruar”. Si të mos mjaftonin këto thënie, kur u gjend mes salltaneteve të Turqisë dhe nën euforinë e premtimit të Erdogan për ndërtimin e një spitali në Fier brenda 3 muajsh, Edi Rama bëri dallimin e Turqisë që “nuk veproi si disa të tjerë që, njësoj siç u thanë njerëzve të mbyllen në shtëpi, mbyllën në shtëpi dhe shtetet e tyre dhe ndaluan deri dhe kalimin e ndihmave mjekësore për ata që kishin nevojë”. Referimi negativ nga pallati presidencial në Ankara ishte qartazi për Bashkimin Europian.

Këto thënie nuk kanë rënë në vesh të shurdhër. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian, Luigji Soreka, që ç’është e vërteta, prej kohësh nuk shihet në krah të kryeministrit të Shqipërisë, doli t’i kujtojë Edi Ramës se 90% e shqiptarëve duan Europën, ndaj dhe atij i takon të flasë pozitivisht për BE-në.

“Duhet të flasim pozitivisht për BE-në. 90% e shqiptarëve duan t’i bashkohen BE-së dhe po e presin këtë. Ndaj, klasa politike, siç e përmendët, duhet ta bëjë këtë përparësinë numër një” u shpreh Soreka.

Për retorikën e drejtpërdrejtë anti-BE të kryeministrit shqiptar, Soreka ishte po aq i drejtpërdrejtë. Pasi ka dëgjuar marketingun që po u bëhet ndihmave të Turqisë, të cilat Rama i ka shpallur si kulmi i solidaritetit, Soreka ka kujtuar ndihmat e Bashkimit Europian për Shqipërinë, si gjatë tërmetit, ashtu edhe gjatë pandemisë.

“Më duhet ta pranoj se u habitëm nga deklarata e dhënë nga kryeministri në fillim të vitit, veçanërisht pasi solidariteti i Bashkimit Evropian nuk ka qenë kurrë aq i dukshëm sa në vitin 2020. Pas disa ditësh kemi përvjetorin e parë të Konferencës së Donatorëve në Bruksel, pas tërmetit tragjik të nëntorit 2019, kur Bashkimi Evropian mblodhi aq shumë aktorë për të vënë në dispozicion të Shqipërisë më shumë se 1 miliardë euro dhe menjëherë 115 milionë euro nga Komisioni Evropian, që tani, pas një viti, po japin rezultate konkrete në terren, në fushat e kulturës dhe arsimit. Më pas, vjen ndihma e Bashkimit Evropian gjatë pandemisë sëCovid19. Të gjithë e kanë parë sasinë e pajisjeve mjekësore. Unë vetë kam bërë shtatë dhurime pajisjesh, që u kanë mundësuar shqiptarëve ta përballojnë këtë periudhë. Pastaj Plani Ekonomik dhe i Investimeve, me 9 miliardë euro për tre vitet e ardhshme. Në çastin kur nisi vaksinimi, ndryshe nga partnerët e tjerë, Bashkimi Evropian nuk e mbylli derën për ndihmën me vaksinimin, përkundrazi, vuri menjëherë në dispozicion 70 milionë euro që janë të disponueshme për vendet e rajonit, përfshirë Shqipërinë, që do të marrë një sasi të rëndësishme të kësaj kuote, për t’u siguruar që Shtetet tona Anëtare që dëshirojnë ta bëjnë këtë mund t’i përdornin këto para për t’ia dhuruar apo rishitur vaksinën Shqipërisë”.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu