E shtunë, Shtator 21, 2024
KreuPakategoriKrijimtari // Ma shkretnuen zemren..Romani i Ri i Shkrimtarit ne Diaspore Lulash...

Krijimtari // Ma shkretnuen zemren..Romani i Ri i Shkrimtarit ne Diaspore Lulash Nikë Palushaj…

    • Dy fjale per librin “Ma shkretnuen  zemren – shkruar nga shkrimtari Lulash Nikë Palushaj… Ky libër, produkt i një frymëzimi të thellë patriotik, përbën një gur të çmuar në gjerdanin e veprave tashmë të njohura të shkrimtarit dhe patriotit Lulash Palushaj. Rrugëtimi i autorit në historinë e të parëve tanë ka hedhur dritë në gjenezën e kombit tonë, ka evidentuar ecjen e vështirë e plot pengesa të një etnie nga më të lashtat e kontinentit, veshur me shkëlqimin e një gjeni të epërm, por me fatalitetin e një populli që përshkon mundimshëm rrugën e një Golgote të paracaktuar nga forcat hyjnore, si për të sprovuar fuqinë e një race madhështore që kalon mundimet më të tmerrshme, sakrificat më sublime, për të mbetur i pazhbëshëm dhe për të dëshmuar shpirtin titanik ilirian, që si feniksi ngrihet krenar nga hiri i vet. Gjeneza e kësaj vepre me sa duket, ka lidhje me përjetime të hershme të autorit Palushaj, që zënë fill që nga vitet e rinisë, koha e shkollimit të tij në viset e Kosovës: Prizren, Gjakovë, Prishtinë, ku mori formimin e tij kulturor, por sidomos patriotik, për të vazhuar në vitet e mëvonshme vëzhgimet e mprehta mbi çdo gjë që ndodh në trojet e dashura të kosovës martire. Syrit të këtij shkrimtari historian nuk i ka shpëtuar pothuajse asgjë dhe në opusin e gjerë të veprave të tij është ndërtuar me besnikëri, objektivitet, paanësi dhe zjarr patriotik gjithë kronologjia e ngjarjeve tragjike, gjithë drama e përgjakshme që është luajtur në kurrizin e një popullsie të dënuar nga historia, armiqësia e fqinjëve dhe indiferenca e fuqive të mëdha. Pasioni i Lulashit për Kosovën, udhëtimet e shpeshta të tij në të gjitha viset, takimet me personalitete dhe individë me informacion të gjerë dhe dëshmi okulare për çfarë ka ndodhur në këto troje të martirizuara, si dhe studimi i burimeve të shkruara ka nxjerrë në dritë këtë libër që është kompozuar si një vepër dokumentare, por edhe digresive dhe meditative, me ritmikën e një proze poetike, që kulmon hera- herës në klimakse dramatike deri në tragjizëm. Dhe tragjizmi fillon qysh në titull “Ma shkretnove zemrën”, që më shumë se titull është klithma rrëqethëse që del nga thellësia e zemrës së përbashkët të një populli të tërë. Shpesh, në udhëtimet që kemi bërë me autorin nëpër viset e Kosovës, nga Prizreni deri në Mitrovicë, ku në shumicën e rasteve kemi qenë të shoqëruar nga burra intelektualë të përmendur kosovarë, jemi ndalur e vizituar pothuajse çdo obelisk, muranë, gërmadhë luftërash të përgjakshme varreza masive, sheshe betejash e masakrash me emra të lavdishëm e të përgjakshëm, Kaçanik, Drenicë, Prekaz, Reçak, Boletin, Galicë, Mej e Gjakovës, Lugu i Qarragojës etj., ku spikasin dy gjëra: varre dhe lule. Në çdo qëndrim shihja fytyrën e përqendruar, të tronditur e medituese të Lulashit që shikonte ngultazi sikur po vërente diçka në përtejbotë. Në këto çaste portreti i hijshëm e fisnik i këtij patrioti fliste më shumë se fjalët. Në tërë pamjen e tij lexohej një vendim si mbajtja e një amaneti. Ishte amaneti për të fiksuar e përjetësuar këto epope të lavdishme, që u bënë çmimi i lartë e i shtrenjtë i lirisë së Kosovës; i kësaj toke të larë me gjak në çdo pëllëmbë.

      Shumë është shkruar për Kosovën, për martirizimin e saj, për një nga kalvaret më të rënda të kombit tonë. E megjithatë, ky libër sjell mjaft fakte, peronazhe, ngjarje të jetuara nga persona realë, që freskojnë mjaft histori të paraqitura më parë. I pasurojnë ato dhe u japin vlerë e shkëlqim nga fuqia medituese e autorit, shkarkuar nga digresionet e shpeshta përgjatë këtij libri. Qëndrimet e shkrimtarit nuk fokusohen vetëm në një drejtim. Autori mediton gjatë mbi gjithë historinë dardane dhe shqiptare; mbi raportet vllaznore të një populli që mbi çdo gjë ka vendosur në shekuj atdhetarinë. Gjithashtu Palushaj evidenton çaste të rëndësishme të etnogjenezës dhe të etnokulturës së popullit tonë, lashtësinë e tij, gjuhën e bukur e të veçantë si një nga vulat tona më autentike, bukurinë shpirtërore e fizike të individit shqiptar; besën, mikpritjen dhe bujarinë, të gjitha këto duke i vendosur në kontrast me armiqtë e tij të përhershëm. Veç të tjerash, ky libër është një udhëtim nëpër shumë vise, përmes të cilit shpaloset koloriti plot dritë e shkëlqim i krahinave dhe njerëzve në çdo anë të kufirit. Mjeshtërisht e ka dhënë autori eksodin biblik të shqiptarëve nga Kosova. Në këtë pamje spikat solidariteti i gjakut shqiptar, kushtrimi dhe thirrja e të parëve, që mundëson  ndarjen e fatkeqësisë, lehtësimin e dhimbjes dhe mbështetjen pa kushte të vëllezërve të një gjaku. Skena prekëse dhe tronditëse zbulojnë gatishmërinë e të gjithëve për të sakrifikuar. Kjo duket si një sprovë madhështore që Zoti i ka rezervuar racës iliriane për të dëshmuar homogjenitetin, fisnikërinë e lashtë dhe kohezionin e saj të përjetshëm.

      Ky libër është shkruar në variantin gegë. Kjo është zgjedhja e autorit dhe arsyeja e kësaj zgjedhjeje është ndjesia për të qenë më i çlirët, më afër frymëzimit, pra që rruga nga mendimi tek fjala e artikuluar me shkrim, të jetë sa më e shkurtër. Kësisoj teksti është pothuajse idiolekt, i pasurar me nervin artistik të një verbi idiomatik, tepër tipik, i cili shpalos mençurinë, lakonizmin dhe elegancën sintagmatike, të ngjizur e të kalcifikuar nga burime të lashta të shqipes veriore. Përfundimisht, kjo vepër i shtohet me dinjitet opusit të autorit dhe fondit dokumentar e artistik të letërsisë sonë.

      Zija Vukaj

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Shkrimet e fundit