Gjovalin Shkurtaj

Malësia e Madhe, ndonëse po të nisesh nga përmasat e saj truallësore jo gjithaq të mëdha, as sot as më parë, nuk di me se do ta përligjte cilësimin “ e madhe”, përveçse me bëmat e saj të hershme e deri në kohët e reja, bëma gjithmonë të mëdha, heroike dhe, sidomos, me shpirtin e zemrën e madhe, të hapët e bujare, që kanë pasur malësorët tanë, burrat e gratë, tek të cilët shquan mikpritja dhe gatishmëria për ta qasur e strehuar si mikun e kresë, ashtu edhe shtegtarin e panjohur që e sjell Zoti te dera. “Shtëpia e shqiptarit asht e mikut dhe e shtegtarit”, kjo thënie e moçme, besojmë, askund tjetër nuk ka pasur vend e zbatim sa në Malësinë e Mbishkodrës. E madhe, sigurisht ka qenë Malësia jonë për trimërinë dhe atdhetarinë e saj, së cilës i kanë bërë vlerësimet më të larta poeti Gjergj Fishta në kryeveprën “Lahuta e Malcis”. Jemi rritur me tharmin atdhedashës që përmbajnë vargjet e pakundshoqe të Ndre Mjedës, i cili i ngazëllyer nga atdhedashuria e malësorëve te soneti “Liria” ka shkruar “nanat e Hotit, që ndër djepa rrisin djelmëninë ushtore e hidhnim n’anmikun nëpër gji u qesin”, prandaj, jam i bindur se secili bir i Malësisë sonë të Madhe “Nderi i Kombit”, është ndier  krenar që kemi pasur aso nënash, që kanë lindur “piramida të Shqipërisë etnike, heronj të lirisë e të shqiptarisë”, si Ded Gjon Luli, Çun Mula, Prek Cali, Baca Kurti etj