Prekë Cali, piramida e “gjallë” e kufijëve etnik shqiptar…
Nga Ndue BACAJ
(Prekë Cali: Ne nuk marrim pare e as flori , sepse nuk ua shesim fëmijëve tanë atdheun e tyre)
Hyrje
Kryengritja e parë antikomuniste në Shqipëri dhe në të gjithë Europen, (janar-shkurt 1945) e kishte “votrën” e shkëndisë dhe vazhdimësisë heroike, në Kelmendin kreshnik të Prekë Calit. Kushtrimi i kësaj kryengritje u ngjitë në qiell, por fatkeqësisht u “dëgjua pak” në tokë. Krye-trimi nacionalist e antikomunsit Prekë Cali, (me shokët e tij të shqiptarisë), qendroi në ball të kësaj kryengritje trimërisht e shqiptarisht, duke u ndeshur pa frikë me forcat e shumta e të armatosura komuniste deri sa dha jetën si me le… Me rastin e 76 vjetorit të kësaj kryengritje mendova të publikojmë një portret të vogël të nacionalistit të madh Prekë Cali , që me veprimtarinë e tij patriotike në mbrojtje të kufijëve etnik të Vermoshit, Kelmendit e Shqipërisë , është “pagëzuar” piramida e “gjallë” e këtyre kufijëve…
“Grimca” nga curriculumi i jetës dhe veprave atdhetare të Prekë Calit
Prekë Cali lindi në vitin 1878, me babë Calin e nënë Ruden. Lindi në fisin e njohur të Hasanajve të Selcës së Kelmendit , të i atij fisi që lindi e rriti dhjetra burra trima e të urtë , (të paktën) që nga kreshniku Memë Smajli e vijon me Turk Isufin, Ujkë Isufin, Prekë Gjeloshi, Ucë Turkun, Nikë Turkun, Dul Doshin , Dedë Shabanin, Kir Dul Doshin e tj… Në këtë ambient familjar , fisnor e shoqëror Prekë Cali u rritë , burrërua dhe u edukua me vlerat më të mira të urtësisë , bujarisë, trimërisë , bësës e mbi të gjtiha atdhedashurisë. Vlera që i demostroi e ruajti si amanetë të pa tjetersuar , deri sa për këto vlera Prekë Cali sakrifikoi jetën…
“Gjithmon stuhitë , shterngatat e moti i ligë , godasin lisat e jo fijet e barit”. Prekë Cali ishte nga ata lisa vigan të Kelmendit , Malësisë e Shqiptarisë , i cili do të bëhej piramida e gjallë e kufijëve të Kelmendit e Shqiperisë, por edhe e mbrojtjes i të drejtave , të lirisë e trashigimisë më të vlefshme të atdhetarisë. Aktiviteti atdhetar i Prekë Calit mund të krahasohet me vetëm një “mal” të madh , i cili nuk mund të mbulohet më agjë , nuk mund ta mbulojnë askush , madje as “natyra me mjegullat e dendura të saja , pasi mjegullat janë të perkohshme e mali është aty i perhershëm. Më shumë se një-gjysem shekulli Prekë Cali ishte i pari, aty ku ishte fronti më i vështirë, aty ku luftohej me pendë e pushkë , aty ku dërdhej gjaku për trojet tona të shenjta etnike dhe për flamurin tonë kombëtar të Gjergj Kastriotit-Skenderbe. Prekë Cali ndër kuvende e fronte lufte , dallonte nga të tjerët jo vetëm nga mençuria , trimëria e atdhedashuria , por edhe nga hijeshia e madhështia fizike , që duket se vetë Krijuesi ia kishte “falur” , si simbol të trashigimisë të patjetërsuar të racës iliro-arbënore -shqiptare. Prekë Cali do të ishte një ndër luftëtarët e shquar në kryengritjen antiotomane të vitit 1911 , kur Malësia e Madhe me në krye trimin e urtë të atdhetarisë Dedë Gjon Lulin, do të nxirrnin nga katakombet e errësirës turke-osmane 432 vjeçare , në driten e diellit shqiptaro-europerendimor në Deçiq, flamurin kombëtar të Gjergj Kastriotit-Skenderbe … Mbas kryengritjes antiotomane , Malazezët menduan se u erdhi koha për grabitur edhe troje të tjera të Malësisë e mbi të gjitha Shkodërlocen. Ndaj në tetor 1912 ata nisen luften per pushtimin e Shkodrës (Rrethimi i Shkodres). Ishin kohë të vështira e të turbullta edhe për malësorët. Mjerisht jo pak malësorë trima e atdhetar u “hutuan” në keto kohë , ndersa Prekë Cali nuk u “hutua” dhe as u lëkund , ai qendroi si piramidë e gjallë në mbrojtje të kufijëve të Vermoshit e Kelmendit… Në Konferencën e Londrës të vitit 1913, Fuqitë e Mëdha të Evropës, vendosën arbitrarisht kufijtë mes pjesës veriore të Shqipërisë e shteteve kufitare: Malit të Zi e Serbisë. Ishin kohë të vështira e mbijetese për Atdheun. Grabiqarët e shteteve të Evropës, me harta ndër duar, vështronin të pangopshëm mbi trupin e rrudhosur të vendit të shqiponjave. Mes bjeshkëve të thepisura, përpara u doli piramida e gjallë e kufirit Prenkë Cali me shokët e tij të atdhetarisë… Lufta grabitqare e kufijëve me Malin e Zi , do të zgjasin jo pak , por nga viti 1913 deri në vitin 1923… kur kufiri që është sot u pranua perfundimisht nga të pangopurit fqinjë dhe Europa. Luftën për mbrojtjen e kufijëve të Vermoshit e Kelmendit, Prekë Cali do ta kishte fatkeqesisht jo vetëm me malazez ,por edhe me shqiptarë të zesë, që punonin në favor të armiqeve shoven sllav.. Disa fragmente nga ajo kohë menduam ti sjellim si vijon:
– Këtu, këtu janë kufijët tanë – çirrej para Komisionit përfaqësuesi i Malit të Zi, këtu janë Bjeshkët e Kuçit, – këmbëngulte malazezi.
– Jooo… Bjeshkët e Kuçit, – ushtoi zëri i trimit të pamposhtur Prekë Calit. Ata janë Bjeshkët e Kuqe dhe duhet ta dini të gjithë, se emnin e morën nga gjaku ynë në luftrat mbrojtëse të malësorëve shqiptarë.
Për të shuar tonet e nxehta të bisedës, ndërhyri me ironi njëri nga antarët e Komisionit Ndërkombëtar.
– Lëvizni ju gurin, vendoseni atje ku mbaron toka e juaj – iu drejtua me gishtin tregues përfaqsuesi i huaj. (Guri ishte shumë i madh dhe i rendë dhe perfaqësuesi i komisionit te kufijëve , mendonte se Preka nuk mund ta mbante shumë larg).
-Prekë Cali, vuri pushkën krahëqafë, u përkul pak para truallit të vet, rroku gurin e larë ndër shekuj me gjak trimash, dhe me duart e forta të një ariu, e ngjeshi pranë gjoksit e me një lëvizje rrufe e kaloi mbi shpatullat e gjëra si një dragua, Preka po u lodhur ecte si një piramidë e gjallë e kufijve të Shqipërisë, ecte përgjatë atij kufiri që e njihte mirë , ecte pergjatë këtyre tokave etnike, ecte me të drejten e Zotit , ecte pa u lodhur se vetë Zoti e ndihmon të drejtën. Në ecjen e atij trimi arbëror, zgjerohej frymarrja e maleve tona të plagosura rëndë nga padrejtësitë e Evropës. Tokat shqiptare në Malësi, sërisht folën gjuhën e arbërit, falë bijve të denjë të herojve mitik si Prekë Cali. Me këmnguljen e tij të padiskutueshme në mbrojtje të kufijve shqiptarë, ndikoi mjaft, që Shqipëria të mbetet në kufijt e sotëm. Nga keto kohë vlenë të shënohet se në vitin 1921 , Prekë Cali do ti drejtohej komisionit për rishqyrtimin e kufijëve me fjalët: “…Shtetet e Mëdha dhe ambasadorët e tyne, komisioni vendror i kufijve edhe deri Gjykata e Hagës, na i ka njoftë si toka shqiptare. Ju si amanetqarë të Misionit, që keni marrë përsipër verifikimin jeni tue e shpërdorue. Ato zhgarravina në hartë nuk i njofim. Me ne, nuk ka mujtë me luejtë as ushtria e Sulltanit turk. Këto troje i kemi larë me gjak gjatë gjithë shekujve, kundra atyne që deshtën të na i marrin. Edhe sot luftarët e Kelmendit, janë gadi të vdesin për trojet e veta, ashtu si dikur të parët e tyne. Prandaj ndigjoni fjalët që po ju them: Mos kërkoni të luani me kufijtë tanë, që janë aprovue se është tokë shqiptare, përndryshe…Mendohuni mirë se atë majë nuk e kaloni lehtë! Duke parë qendresen e Prekës dhe trimave të tij që e shoqëronin njeni nga të Komisionit tha: – “Zotni Cali, për pak çaste Komisioni don me bisedue mes vedi.” Ata u larguan në nji anë dhe nuk qëndruan shumë. Meqenëse i kuptuan intrigat e përfaqësuesve malazez-jugosllavë, vendimin e morën shpejt. Kur u kthyen njeni prej delegatëve iu drejtue Prenkës, duke i folur: -“Zotni Cali, Komisioni vendosi që ju bashkë me shokët që ju shoqërojnë t’i prini Komisionit, duke e shkel terrirorin tuej që keni pas me fqinjët.” Gjatë mbrojtjes me urti , inteligjencë , trimëri e atdhedashuri të kufijëve nga grabitqaret malazez , Prekë Calit ju rrezikua edhe jeta nga malazezët e pabesë. Një rast i till tregohet edhe sot nga kelmendasit. Kur perfaqesuesit e Malit të Zi e panë se e humben davanë e kufijëve (me Kelmendin) , dhe “shkaktari” kryesor ishte Prekë Cali , ata tentuan ta vrisnin , duke e qelluar tinzisht me revole. Mirpo nderhyrja me shpejtësi e perkthyesit , bëri të mundur që plumbat të shkojnë në hava e të mos prekin Prekën. Prekë Cali me gjakftohtësi i kthehet e i thotë malazezit që qelloi : “Mos u frikëso, se je në token shqiptare dhe nuk e kemi zakon të presim njeri në besë…”. Gjatë viteve të mbrojtjes të kufijëve Prekë Cali ishte edhe luftëtar me pushkë e prijës i kelmendasve në mbrojtje të trojeve shqiptare nga shovenë malazez , veçanarisht në vitet 1915 dhe luftës së Koplikut me 1920… Emri me vepra e Prekë Calit e mbushur me urti , trimëri dhe atdhedashuri, u bë simbol qëndrese, për malësorët, që e mbështetën dhe e deshtën me gjithë zemër. Për keto Prekë Calit i shkoi “zani” edhe në kralnitë e Europës… Për këtë thuhet se Prekës i ishte dhënë edhe një dokument i firmosur dhe vulosur nga shtatë krajlat e Europës si njeri i paprekshëm nga shtatë krajlnitë. Malësorët thoshin se në gisht Preka ka një mhyrë (unazë) të shtatë krajlave. Me ardhjen në pushtet të monarkistëve me në krye Ahmet Zogun, ai herë mbas here bënte kërkesa dhe proteston pranë qeverisë për interest e Kelmendit e më Gjërë… Në këtë situatë, përplaset Prekë Cali me Ahmet Zogun, mbasi ishte përkrahës edhe i forcave të opozitës asokohe. Mbas rënies së qeverisë së Fan S. Nolit, qeveria monarkiste selektoi kundërshtarët politikë, dhe Prekën si dhe disa të tjerë, e internuan për 3 vjet në burgun e kalasë së Gjirokastrës. Ahmet Zogu e kuptoi gabimin e internimit ndaj e liroi. Kur e liroi Prekën e priti në rezidencen e tij në Tiranë duke i thënë : “Të internova si kundershtar e po të liroi si atdhetar”. Gjithashtu Ahmet Zogu e bëri Prekën kapiten rezerve dhe i dhuroi revolen me dorezë të bardhë të shkruar A.Zogu I. Lirimi i Prekës, nuk kishte qenë i “rëndomtë”. Qytetarët e Gjirokastrës, në sheshin e qytetit e kishin përcjellur me ngrohtësi e urime. Preka, përmes gazetave, që e kishin intervistuar, falënderonte për së tepërmi qytetarët e Gjirokastrës. Vlenë të cilësohet se kur ishte i internuar Preka në Gjirokastër, kishte ardhur edhe një professor e piktor francez me emrin Marshand , i cili thuhet se i kishte bërë portrete e piktura të tij, që i mori me vehte në Francë… Edhe dreqit të kuq të ardhshëm të Shqiperisë , Enver Hoxhës do ti bente pershtypje i internuari në Gjirokastër , malësori madhështor Prekë Cali… Prekë Cali ishte vazhdimisht kundër pushtuesve të çdo “ngjyre”. Kundër pushtuesve austro-hungarez (disi më “dashamirës”) , fashistëve Italian e gjerman. Ndersa në interesë të Kelmendit e Malësisë u angazhua në ruajtjen e qetsisë e rendit , si dhe në mbrojtjen e Vermoshit e Kelmendit nga provokatorët malazez -çetnikë e veçanarisht atyre komunist, që ishin edhe themeluesit e komunizmit në Shqiperi. Mbas largimit të forcave pushtuese gjermane nga Shqiperia Prekë Cali u çon fjalë komunistëve që muaren pushtetin, se është për paqe e bisedime me ta , por me gjuhen e shqiptarit e jo me pushkën e sllavit, armikut shekullor të trojeve shqiptare. Na nuk dona vllavrasje, shkoni ka keni ardh, se s’keni rrugë këtej, e për më tej bisedojmë si vëllau me vëlla në një kohë tjetër të qetë”. Komunistet me pushkë e krime e kishin marrë pushtetin , ndaj kerkuan që me Prekë Calin e nacionalistët e tjerë shqiptar të flasin jo me gjuhen e shqiptarit por me pushkën tinzare e kriminale të sllavit. Malësorët duke njohur komunizmin dhe krimet e tij që gjatë luftës nac-çl , kishin organizuar edhe kuvende e beslidhje , në mes vehtes dhe treva të tjera shqiptare si Shkodrën e më gjërë… Një nga keto kuvende është edhe ai i zhvilluar me 13 janar 19145 në Kalcë (Kelmend) kuvend që vendos me qindrua , ndonse fati i kësaj qendrese dihej…
Qendresa antikomuniste e Kelmendit ishte e madhe , ndersa luftohej kundër një ushtrie të tërë , për të mos demtuar më shumë Kelmendin Prekë Cali terhiqet dhe strehohet në shpellen e tartashicës , (sot shpella e Prekë Calit), nga ku dorzohet në besë të të pabesëve komunist. Për këtë ai para dorzimit kishte deklaruar: ” Të fuqishmit zakonisht premtojnë shumë e mbajnë pak. Në qoftese kjo ka qenë perherë keshtu me të kuqtë sot asht ma zi …por per hirë të së mirës së Kelmendit e Malesisë edhe dorzohemi në besë …të pabesëve…”. Prekë Calin gjykata komuniste me 2 mars 1945 e dënon me vdekje. Kjo gjykatë kriminelësh të kuq përbëhej nga Kryetari major Tonin Jakova me antarë Zoi Themelin , Mustafa Iljazin dhe prokuror Jonuz Mersinin. Ekzekutimi i këti vendimi do të bëhej me 25 mars 1945, , në të dalun të dritës të asaj dite të zezë, kur në zall të Kirit (Shkodër), një batare pushkësh do të prishnin gjumin e trazuar të shkodranëve. Ajo batare pushkësh siç do të merrej vesh, do të zbrazej mbi trupin e piramidës së gjallë të kufijëve të Shqipërisë , kreshnikut Prekë Cali dhe 13 nacionalistëve e antikomunsit të tjerë, por edhe do të paralajmronte gjëmën e madhe që do të sillte stuhia e shtërngata komuniste , e cila nuk do të kursente për 45 vite rrjesht asgjë shqiptare e nacionaliste.
Prekë Cali para togës së pushkatimit…
Trimi atdhetar i Kelmendit Prekë Cali, i lidhur me duart mbrapa të mbërthyer ndër vargoj , u ndodh para brigadës së pushkatimit në Zall të Kirit. Ai nuk u tremb nga vdekja… por mundohej tu jepte zemër djemve të rinj, që po jepnin jetën për të e për Liri. Në momentin, që do ta ekzekutonin piramiden e gjallë të kufijve shqiptar toga e zezë e pushkatimit komunist, i kerkojnë të kthehet me shpinë dhe t’ia mbyllin sytë. Por Prekë Cali, në mënyrë kategorike kundërshton, duke thënë: “ – Nuk shkohet n’Parajsë me shpinë dhe me sy t’mbyllun”, dhe siç ishte duarlidhur, çoi kryet lart, tregoi gjoksin, e zbuluar nga këmisha e grisur e u tha: “Kështu vdes shqiptari”. Para se të rrëzohej, ai trup si një lis vigan , nga plumbat e shqiptarëve të qorruar e marruar nga komunizmi e sllavizmi , u dëgjua zëri i fuqishëm i malësorit të bjeshkëve, që ushtoi si jehona e luginave: “ – Rrnoft Shqipnia! Rrnoft populli shqiptar! Heret a vonë Shqipnia do të fitojë.”
U pushkatuan së bashku me Prekë Calin: Dom Ndre Zadeja, Luigj Gjeto Kastrati, Ndokë Nikë Preçetaj nga Gradeci, Arif Selim Hyseni nga Vukatana, Ndrekë Loka, Dedë Lulash Smajli nga Nikçi, Gjokë Nikë Brahimaj nga Lohja e Siperme me banim në Mal të Kolajve, vëllezrit Dul Bajrami e Maliq Bajrami nga Selca me banim në Mal të Kolajve , Mark Lucë Gjoni (Mujaj) nga Vukpalaj , Tomë Lekë Daka (Popaj) nga Vukpalaj, Gjokë Nikollë Voci nga Vukpalaj, Pjetër Dedë Gjodashi (Malocaj) nga Trushi.
Duke ju afruar fundit të këtij portreti të vogël, para vepres së madhe atdhetare të viganit nacionalist Prekë Cali , mendova të “citoj” momentin domethënëse të perballjes së Prekë Calit pas arrestimit të tij , me kriminelin bolshevik Mehmet Shehu. Kur Mehmeti me hile i thotë: “Ti Prekë po të kishe bashkepunua me ne (komunistet) do ta kishe mbyllur jeten me “kapak ari”. Ndersa Preka pa ju ligeshtuar zemra i ishte pergjigjur me fjalet lapidare: “S’ka çka më duhet jeta nën hijen e trobojnicës (flamurit malazez) , ma mirë me u kalbë në dhe , e historia një ditë ka me na nderue , por ti atëherë Mehmet ke me kenë turpi i saj ,ndersa ne malësoret ndera e saj.”. E vertet keshtu ndodhi… Sot Prekë Cali me bashkëluftëtarët e tij nacionalist e antikomunist edhe të vdekur (e disa edhe pa vorr) janë faqja e bardhë e Malesisë , Shkodres e Shqiptarisë , ndersa ata që instaluan diktaturen komuniste dhe shkaktuan luftën civile (herë të nxehtë e herë të ftohtë) janë marrja , turpi e faqja e zezë e shqiptarisë…
Për meritat e mëdha të padiskutueshme Presidenti i Republikës së Shqipërisë (i asaje kohe) Prof dr. Sali Berisha, më 25 qershor 1993, Prekë Calin e dekoron me dekret nr.569 me medaljen “Martiri i Demokracisë”. Pas këtij dekorimi, po në vitin 1993, u përurua në Vermosh (Kelmend) restaurimi i shtëpisë-kullë të Prekë Calit, ku në këtë cermoni nderuese e perkujtuese do të merrnin pjesë, qindra banorë vendas e më gjërë, autoritete politike e shtetrore të asaje kohe , si dhe do të merrte pjesë e pershendeste edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës z.Rajerson. (Kjo kullëmjerisht tashma prej vitesh është kthyer në gërmadhë)… Nderkohë në Shkodër, (më vonë) i është ngritur edhe një shtatore madhështore… Gjithashtu Prekë Calit ju thuren mjaftë këngë nga populli, dje me zë të ulët , ndërsa sot me zë të lartë deri në qiell. Ndersa treven e kelmendit (me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqiperisë, Presidenti i Republikës (z.Bujar Nishani) e dekoron me titullin e lartë «Nderi i Kombit».
Ah… sikur të kishte pasur shumë Prekë Cala, Shqiperia , nuk do të ishte kaq e zvogluar dhe rrudhur nga fqinjët, edhe pse me bekimin e Europës Plakë.
Nderim të pëjetshëm Prekë Calit dhe të gjithë atyre që dhanë jetën për një shqiptari të kulluet, si loti i dhimbjes së nënave e motrave shqiptare, kur humbnin bijët e vëllezrit e tyre , në luftë për mbrojtjen e trojeve etnike shqiptare…
Bibliografi e referuar:
1.At Konrad Gjolaj (Tom Marku) , ÇINARËT , botim i muzeut historik të Shkodrës – 1996.
2.Rush Dragu , Kelmendi , drit-hije, publicistikë 2001, enti botues “Helena kadare”.
3.Halil Buçpapaj , Kreshta Historie në Kelmend- Tiranë 2003.
4.Gjekë Gjonaj, Prekë Cali , Piramidë e gjallë e kufijve shqiptar, Tiranë 2005.
5.Ndue Bacaj , Prekë Cali , Lisi që sfidoi shtërngatat komuniste, gaz. “Shqipëria Etnike” , nr.16 -2002.
6.Dom Nikë Ukgjini , Një vështrim i shkurtër historic për fisin e Kelmendit , Phonix 3-4 , Shkodër 1999.
7.Kolë Progni , Kelemendi -monografi , Shkodër 2000.
8.Ahmet Bushati , Në gjurmët e nji ditari , ‘Camaj-Pipa”, Shkodër 2001.
9.Dr. Luigj Martini , Prekë Cali Kelmendi dhe Kelmendasit , “Camaj-Pipa” , Shkodër 2005.
10.Uran Butka , Kryengritjet Kundërkomuniste, Tiranë 2013.
11.Dokumente të arkivës të Ministrisë së Brendëshme , arkivavës qendrore të ushtrisë , arkivës së forcave të armatosura dhe arkivës së shtetit shqiptar. Keto dokumente ( fotokopje që i disponoi) janë të specifikuar sipas referencave në librin tim Malësia e Madhe Kundër… , ndaj nuk po i ekspozoi një nga një…).
12.Mul Delia , Beslidhja e Malësisësë Madhe , kujtime 1939-1945 , Shkodër 2004.
13.Prekë Gruda , Ditari i një zemrës lëndueme, sa kam shpresë kam shpirt (1937-1945 , pjesa e parë , Tiranë 1975.
14.Ndue Bacaj , Malësia e Madhe Kundër… kushtuar kryengritjes së parë antikomuniste në Shqipëri dhe gjithë Europën , sh.b. Fiorentia , Shkodër 2018.
15.Sokol P. Lulgjuraj , Malësia e Madhe ndër shekuj , Podgoricë 2010.