Shkodra gati për sezonin turistik 2025, prezantohet Plani i Masave…

Në një takim të zhvilluar me Komitetin Rajonal të Zhvillimit të Turizmit në Qarkun Shkodër, prefektja Majlinda Angoni dhe përfaqësues nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, institucionet qendrore dhe vendore, si dhe degët territoriale, diskutuan sfidat dhe prioritetet për organizimin dhe menaxhimin efektiv të sezonit turistik veror 2025.
Gjatë takimit u prezantua Plani i Veprimit, i cili synon të sigurojë një koordinim të ngushtë ndërinstitucional për menaxhimin e rregullt të sezonit turistik dhe për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit gjatë gjithë vitit.
Prioritetet kryesore të Planit përfshijnë:
- Garantimin e rendit dhe sigurisë publike në zonat turistike dhe plazhe;
- Menaxhimin efikas të mbetjeve urbane dhe inerteve;
- Sigurinë ushqimore dhe çertifikimin sanitar të operatorëve turistikë;
- Furnizimin e qëndrueshëm me ujë të pijshëm dhe energji elektrike;
- Funksionimin e shërbimeve shëndetësore dhe të urgjencës mjekësore;
- Kontrollin e mjeteve lundruese informale në zonat ujore.
Prefektja Angoni kërkoi angazhim të plotë nga çdo institucion për zbatimin e masave të planifikuara, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë dhe veprimeve konkrete në terren për një sezon turistik të suksesshëm dhe të sigurt./RealitetiPost