E premte, Mars 7, 2025
KreuPakategoriPRECEDENTI: Futja e Ilir Metes ne listat e sigurta te PD perveçse...

PRECEDENTI: Futja e Ilir Metes ne listat e sigurta te PD perveçse e ben Deputet i jep dhe lirine ..

PRECEDENTI – Futja në listën e sigurtë të PD- së, përveç mandatit të deputetit i jep Ilir Metës edhe lirinë…

meta-berisha

Futja e Ilir Metës në listën e sigurtë të PD- së për deputetë në Tiranë, nënkupton një mandat thuajse të sigurt ndërsa qëllimi final duket se është lirimi nga burgu i kreut të Partisë së Lirisë, nën hetim për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, dhe vendosjen e Prokurorisë së Posaçme përpara një ngërçi procedural.

Çfarë pritet të ndodhë? Sipas nenit 71 pika 1 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve. Pra ditën që KQZ bën shpërndarjen zyrtare të mandateve, deputeti quhet i zgjedhur dhe me këtë fillojnë edhe të gjitha detyrimet dhe privilegjet e mandatit të ligjvënësit, përfshirë imunitetin.

Nga ana tjetër vendime të gjykatave më të mëdha në vend kanë krijuar në Shqipëri precedentët që çdo person që ka pasur arrest me burg, në momentin që është zgjedhur deputet është liruar menjëherë. Rasti më analogjik me Ilir Metën është ai i ish deputetit Azgan Haklaj. Një vendim i 23 korrikut 2001 i Gjykatës së Lartë liroi menjëherë nga masa e arrestit me burg deputetin e atëhershëm Azgan Haklaj, pasi gjykata tha se ai tashmë kishte imunitet pasi kishte fituar mandatin e deputetit në zgjedhjet e zhvilluar vetëm pak javë më herët.

Pra duket qartë se janë të gjitha gjasat që Ilir Meta me marrjen e mandatit të deputet, prej listave të Sali Berishës, do të lirohet nga burgu pasi shuhet masa e sigurisë ndaj tij, e konfirmuar kjo deri në Gjykatë të Lartë.

Kuriozitet në këtë rast shfaq mënyra se si SPAK do të reagonte. Sipas Kushtetutës dhe ligjit, Prokurorisë së Posaçme do t’i duhej një kërkesë tjetër drejtuar parlamentit që ky i fundit t’i jepte autorizimin për riarrestimin e Metës. Por nga ana tjetër kërkesa do t’i shkonte një Kuvendi të shpërndarë, i cili mund të mblidhet vetëm në raste të jashtëzakonshme. A do ta vlerësonte Kuvendi një rast të tillë të jashtëzakonshëm?! Kjo mbetet për t’u parë.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Shkrimet e fundit