-
- Nga Ndue BACAJ
Si sot, 110 vite më parë , me 24 mars 1911 do të fillonte kryengritja kundër turkeosmane e Malësisë Madhe. Kreshniku i Malësisë dhe shqiptarisë Ded Gjon Luli së bashku me trimat malësor të Hotit e Malësisë do të mesynin si duhi mali, dy çibanet turke që rendonin mbi keto troje ; posten e Grykes së Leqes dhe posten e Çemerrit, dhe njekohesisht me ketë sulm do të jepnin edhe kushtrimin e fillimit të kesaj kryengritje legjendare. Kryengritja do të perhapej në tërë Malësinë e Madhe e më gjërë. Malësia e Madhe do të kthehej në një voter zjarri , ku perandoria turkeosmane filloj të “digjej”, nderkohë nga kjo voter filluan të shperndahen shkendija zjarri lirie, në trojet e tjera të Shqipërisë… Me kryengritësit malësor u bashkuan pa vonuar dukagjinës, mirditorë e tjerë. Kryengritja pati jehonë të madhe kombëtare e nderkombëtare. Ajo perveç trimërisë e heroizmit të treguar nga kryengritësit , arriti edhe dy kulme të papersëritshme atdhetarie. Ngritjen e Flamurit kombëtar të Gjergj Kastriotit në Deçiq me 6 prill 1911, pas 432 viteve në errësiren turkeosmane, si dhe Kuvendin e Greçës 10-23 qershor (1911), ku mori jetë memorandumi me 12 kerkesat autonomiste me trajta të dukshme mvehtësie. Nga Deçiqi, do të niste udhetimin 600 ditore (6 prill 1911 – 28 nëntor 1912) për në Vlore flamuri kombëtar , i cili si flaka olimpike udhetoi duke lëshuar driten e dhanë kushtrimin , se kush është shqiptar i vertet duhet të rrokë armet e t’i dalë zot atdheut… Po nga Greça do të fillonte udhetimin 523 ditor nga veriu në jug të Shqiperisë memorandumi i Grçës i cili sherbeu si bazë e programit politik të shpalljes së mvetësisë nga Vlora me 28 nentor 1912, ku protagonistet e shpalljes së pavarësisë (I.Qemali e L.Gurakuqi), kishin qenë në kontakt të vazhdueshëm me kryengritësit malësorë dhe prijësin e tyre Dedë Gjon Lulin. Kryengritja zgjati 133 ditë (24 mars deri me 4 gusht 1911, që u vu në jetë armëpushimi i dates 2 gusht). Në këtë kryengritje dhanë jetën si me lindë qindra dëshmorë, e u plagosen qindra të tjerë për lirinë e pavarësinë e trojeve etnike shqiptare. Kryengritja kundër turkeosmane e udhëhequr me trimëri e atdhetari nga Dedë Gjon Luli, shpesh identifikohet me emrin e tij. Ai u fali gjithshka trojeve etnike shqiptare , ndaj me rastin e 110 vjetorit të fillimit të kryengritjes mendova të publikoj portretin “monument”, për kreshnikun Dedë Gjon Luli, të shkruar nga patrioti i madh pendë-artë i kombit shqiptar, At Gjergj Fishta, në vitin 1924…
AT GJERGJ FISHTA: PËR MONUMENT TË DEDË GJO’ LULIT
“Vllazen shqiptare !…. atje mbi karpa (shkembij) nji çetë Lekë fatosa te Hotit dilte trollit e shpijet vet , e mirë mberthye në armë , thik ngjeshej malit perpjeta , si njajo reja e murrme , kercenuese ngjitej në rribë t’Eurit a t’Akvilonit shungullues , para se të shkref permbi dhe të mjeruem thellimi. Nji burr zeshkan , i permbledhet e ngerthye vetllat si dy shlliga t’idhta , kur mnershem njena me tjetren kukzohet, u ka pri i atill. Fetyra e tij, nji bri alpet të thepisun, syni i tij vullkan tan zjarm e shekendija , thue se prej si tash po shkrepë vetima e zharriste ajrit po lvite rrufeja. Asht Ded Gjo’Luli , që vu sy me dekë a shqiptar i lirë me mbetë , me ata kreshnikë petrita të Maleve të Mdhaja –burra motit veç që i bante lokja shqiptare,- bjen në mal e mbi “kaki” të Deçiqit ngul Flamurin e Shqipnisë – kuq e zi ; zjarm e dekë – nji be ai rreh , nji be të madhe po rreh aj në sy të qielles e të dheut , se rob shqiptari per nën thember mizore të Turkut ma kurr , jo, kurr ma do të gjimonte , e as nën thember të atij sllavi te mnieshem . M’atë be të shugurueshme ngeli në habi Europa ; Cetina u trand e u dynd tan pezem e mni Stambolla ; edhe prej Deçiqit në Veleçik të madhnueshen nisi me vlue e rrebtë nji luftë e pergjkashme e pernjimend titanike. Shkumë gurgulloi gjaku nëpër dolomie e stalagtita të zgavrave t’erreshme , e kah qiella u çue , po, tym e shkendi , e vigem nanash , e vaj foshnjesh të flakrueme në zjarm , e ankime e gjamë të varruemesh , e nji zhurmë e nji krizme rrotash , e kualsh topash , e nji bubullime e menereshme , thue po të rroposet per nën kambë rruzullimi. Edhe malsori muejt . E kje m’atehere që verigat e randa të robnisë sonë pesqindvjetore u keputen e zojë e lirë e me vedi duel Shqipnija. – Po mos të ishte kenë që malsori i jonë , Konstitucjonit të Turkise e te ktej i’u gjet me pushkë në faqe kundra turkut , Shqipni sod nuk do kishte e na edhe sod do të gjimojshim per nën thember të ndonji tirani të ri. Vllazen shqiptar ! na sod jemi të lirë ; por martiret fatosa të lirisë sonë kombetare kalben të harruem nën dhe , kur trupat e tyre të bam kortar prej anmikut , mos t’i ketë shpuplue e grisë mbi dhê orrlat e shekrbet e egra. E po a pernjimend se nipat e sternipat tonë , mbas ndonji stinet të terrnueme , ma ata nuk do të dijnë as emnin e atyne burrave të padekshem , që u fituen lirinë dhe u falen Atdhen . Para se flie vehten të bante malsori na Atdhe s’kem pas , e rob kem kenë , e raje , e skllav e kurrgja tjeter. Jo , per Zotin ! se marre e turp për ne do t’ishte e nji dam i madh per Atdhe, po u qitë në harresë emni , e gjallë në nipni tonë s’u mbajt ideali , që kreshnikët e maleve tona i shtyni , flie me bamun vedin per mizori t’anmikut . Jo, po : do të hupë Shqipnija, diten që sysh ta dar (harroi) shqiptari njatë idealin e Ded Gjo’Lulit …”. (Antologji Shqipe-bleni I , botuar nga Filip Fishta, shtepia botuese “Kristo Luarasi”, Tiranë 1935).
Mua edhe si autor i librit “Kryekryengritja e Malësisë Madhe kundër Perandorisë turkeosmane 1911”, (libër që deri tani ka njohur dy botime), pas ketij “monumenti letrar”, që dinte ta “ndertonte” vetëm At Gjergj Fishta, s’më mbetet gjë tjetër veçse ta mbyllë me fjalët: Lavdi të perjetshme deshmorëve të kesaj kryengritje, Dedë Gjon Lulit dhe kryengritësve që me idealin dhe atdhetarinë e tyre dëshmuan me zë të lartë para Botës, se luftuan dhe u sakrifikuan me idealet dhe flamurin e Gjergj Kastriotit për një Shqipëri Europiane…
Malësi e Madhe me 24 mars 2021