Reshjet e dëborës kanë izoluar fshatrat Gropa të Selcës, Lëpushë e Vermosh të Njësisë Administrative Kelmend, nga pjesa tjetër e zonës. Burime nga Qafa e Predelecit thanë sot për Zani Veriut se aktualisht në Lëpushë trashësia e dëborës është 160 cm, në Qafë të Predelecit 210 cm dhe në Vermosh 75 cm. Ndërkohë që ditën e sotme temperaturat kanë zbritur në shifrat deri -10 grade Celsius. Aksi rrugor Shkallë Gropa drejt Vermoshit ndodhet i bllokuar dhe si pasojë e dëborës, ngricave dhe akullit aktualisht asnjë automjet nuk mund të ngjitet përgjatë atij aksi. Banorët e atyre fshatrave kanë ditë e pestë pa energji elektrike dhe nuk kanë asnjë mundësi komunikimi me pjesën tjetër të vëndit. Në Vermosh mësohet se është bllokuar dhe segmenti rrugor që lidh fshatin me pikën kufitare dhe doganore të Gerçarit.
Zani Veriut