U përdora si kokë turku”, Arben Ahmetaj tregon si nisi përplasja me Ramën dhe flet me emra: Këta dy politikanë përhapën konspiracionin se dosjen ia çova Ilir Metës
01 Shkurt, 2024 21:34
“Po qe se do të bëhet një hetim i vërtetë i vërtetë i inceneratorit të Tiranës, shqiptarët nuk do të habiten, por do të llahtarisen se deri ku do të shkojë. Sigurisht që SPAK-u nuk e bën këtë. Unë thashë “ndiq paranë”. Po të hetohet Tirana, do të shkojë shumë lart.
Pse nisi përplasja? Goditja ndaj meje ka filluar herët. Unë kam pasur përplasjet e mia me kryeministrin. Disa serioze, disa politike, aq sa kuptohet e lejon të qenit i sjellshëm dhe rigoroz. Teoria e konspiracionit që unë kam dorëzuar dosjen tek Ilir Meta dhe ambasada amerikane është furnizuar nga Erion Veliaj dhe Belinda Balluku dhe unë nuk e besoj që Edi Rama e ka besuar sepse është më i zgjuar se kaq. Këtë e ka besuar Lefter Koka dhe Mirel Mërtiri.
Dosja është hetuar nga KLSH dhe kjo u përdor si justifikim për të gjetur kokën e turkut. Unë nuk e besoj se Edi Rama e ka besuar këtë, por e ka përdorur këtë për t’i vënë tapë çështjes së inceneratorëve. Po të zbërthehet një nga nyjet e procedurës praktikisht nuk ka më pazëll për inceneratorin e Tiranës. Në shkurt të 2022, gjithë histeria e kësaj teorie të konspiracionit solli atë që praktikisht isha i bindur që marrëdhënia ime me kryeministrin kishte mbaruar. I kam kërkuar të largohem në shkurt 2022 dhe i kam kërkuar përballë që marrëdhënia jonë është përmbysur”, tha ai për gazetarin Çim Peka.