Kryetari i Kuvendit të Komunës së Tuzit, z. Fadil Kajoshaj, ka bërë sot propozimin Kuvendit që, me rastin e 50-vjetorit të karrierës së artistit të mirënjohur Nikollë Nikprelaj, ai të shpallet Qytetar Nderi i Komunës së Tuzit.
Nikollë Nikprelaj është emër që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën tonë muzikore dhe kulturore. Me zërin, këngët dhe dashurinë e tij për Malësinë, ai ka ruajtur dhe promovuar vlerat tona kombëtare, duke na përfaqësuar me dinjitet kudo ku ka kënduar.
Ky vlerësim simbolik është një shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm ndër vite dhe një urim i veçantë për këtë jubile të rëndësishëm të jetës dhe veprimtarisë së tij artistike.
Urime Nikollës për 50-vjetorin! Faleminderit për gjithçka ke bërë dhe vazhdon të bësh për komunitetin tonë thuhet në njoftimin e Fadil Kajoshaj, Kryetar i Kuvendit të Tuzit.