POETI PIRRO FLOQI, CILI QE AI?

0
777
Pirro Floqi - me babain Kristo dhe nënën Urania

Pirro Floqi mes babait Kristo dhe mëmës Urania

Nga Sinan GASHI

Ndodhë në fatet e krijuesve shqiptarë që, duke qenë në kundërshti me politikën në pushtet, të akëcilës kohë, të jenë të skajuar, mbase edhe të përbuzur, të burgosur, të ekzekutuar, sa së bashku me të i është heqet edhe biografia, duke mos e lënë as ashtu të dihej se cili ishte dhe, aq më keq, se çka krijoi.

Mbase ndër të tillët është edhe Pirro Floqi, djali i shkrimtarit dhe të doktoruarit në shkencën e drejtësisë në Universitetin e Athinës, dramaturgut më prodhimtar, Kristo Floqit (1872-1951). Por, ajo që në kundërshtim kësaj, krijuesve ua heq anonimatin, përkatësisht i cyt të tjerët që të interesohen edhe për jetën e tyre, është vetëm krijimtaria, vepra postume, qofshin në ndonjë botim sa për të thënë ose të lëna tërësisht në dorëshkrime.

Ndër të tillët është edhe Pirro Floqi, djali i vetëm i Kristos, për të cilin dihet fare pak. Ajo që u mësua së voni, pa një hulumtimi, ai ishte i lindur më 11 mars 1911 në New York, ku ishte e lindur edhe motra Tefta, binjake me të vëllain, e cila vdiq si foshnje, dhe motra tjetër Drita, e lindur më 1919 në Shkodër, që jetoi vetëm 6 muaj; se prindët e tij ishin shkrimtari dhe veprimtari kombëtar në Shqipëri e Amerikë, Kristo Floqi, ndërsa e ëma Urania, e motra e Sevasti Qiriazit, qëndistares së flamurit kombëtar.

Pasi ishin riatdhesuar nga Amerika në Shqipëri, Pirroja kishte jetuar mirë, ngase i ati ishte në detyra të rëndësishme, sa edhe kishte pasuri të mjaftueshme,sa dhe kishin ndërtuar një shtëpi në Tiranë, në rrugën e Dibrës, më 1926. Pirroja në vendlindje kishte mbaruar shkollimin fillor, ndërsa që për studime në ndonjë kolesh, e kishin dërguar në Austri më 1922, ku kishin shkuar familjarisht, që te mësonte gjermanishten si dhe daktilografinë, por që nuk qëndruan më shumë se tre muaj. Thuhet se në Vjenë kishte vajtuar edhe një herë për kurime më 1942, sepse nuk e ndjente veten mirë. Kishte punuar për njëfarë kohe nëpunës i Këshillit të Shtetit të mbretit Zogu I.

Por, pas ardhjes së sistemit komunist në pushtet, familjen e tij e deklasojnë si “armik të popullit”, duke ia sekuestruar tërë pasurinë, madje edhe vilën në rrugën e Dibrës dhe një bibliotekë shumë vëllimshme. Tashti jetonin në bodrum të po asaj shtëpie, që ishte shndërruar në shkollë fillore. Kristoja, për arsye tepër të ulëta (se kishte shkruar tekstin e himnit për Mbretit Zog, arsyetohej në aktakuzë!), ishte arrestuar dhe dënuar me burg politik nga viti 1945 deri më 1950. Edhe kur lirohet, i fyer, i rraskapitur dhe në një moshë të shtyrë, mbi 70 – vjeç, heq edhe për bukën e gojës, si plak që ishte; jetonte në mjerim, me lëmoshë, deri sa vdiq më 1951, pasi pak kohë më parë i kishte vdekur edhe guraja Urania.

E, Pirroja, i mbetur fillikat në botë, duke u munduar ta nxjerrë përkohësisht kafshatën e gojës me daktilografim materialesh, e ngryste ditën. Vështirësitë e ndiqnin vazhdimisht. I varfër po, i fyer përherë, me përjetime të rënda emocionale, duke bredhur pa cak rrugëve të qytetit, ai lente përshtypjen e një njeriu të çakërdisur. Para luftës ai bredhte fshatrave, duke mbledhur folklor, shkruan Stilian Adhami1 për të. Më pastaj ai ikën për në Shkodër, rrugë të cilën e bëri më këmbë. “Atë e kishin porositur me ardhë në Shkodër, mbasi në Tiranë ishte bë i bezdisshëm”2, shënon Ftitz Radovani.

Por edhe atje e përcolli fat i njëjtë, bredharak e lypsar rrugësh. I jepte kush për mëshirë sa për ta mbajtur frymën, ndërsa gjumin e bënte aty ku e mëshironte kush, qoftë edhe në ndonjë skutë hoteli, si në “Evropa” të Shkodrës. Përkujdesje të veçantë pat treguar për të Imz. Ernest Çoba, i cili i jipte shpesh edhe për të ngrënë3. Por përcjellja nga sigurimcat ishte e përhershme. Rrëfehet një rast për kontrollin policor të natës dhe, kur këtë e zgjojnë për dokument dëshmi, ky kishte vetëm pasaportën amerikane, e cila i irritonte edhe më shumë ata. I shqetësuar, iu tha: ”Ja. Prisni një minutë, merreni këtë dreq pasaporte, ndryshoni at dreq New Yorku, se jeni duke me çmendur.4.

Atje, më ata pak njerëz që e afronin, lente dëshmi të një njeriu të ditur. Dinte “Lahutën e Malësisë” të Gjergj Fishtës, njihte shkrimtarët e Veriut, të cilët për kohën ishte rrezik t’ua përmendje vetëm emrin e lënë më edhe veprat. Kjo dëshmonte se ishte një i ditur dhe i rritur në gjirin e një familje intelektuale, me shkrimtarin e studiuesin shkencor Dr. Kristo Floqi. Ashtu i drobitur, edhe fizikisht e edhe psikikisht, ai e mbylli jetën përplot travaje, i internuar në Kampin e Lezhës, që si datë e përafërt mund të merret 1960 (?).

Pirro Floqi kishte trashëguar një talent krijimtarie nga i ati shkrimtar. Ai nisi krijimtarinë që në rini, kur dihet e dhëna që si gjimnazist kishte nxjerrë vëllimin e parë me poezi. Madje edhe në orientimin kombëtar, gjykojmë sado pak sipas shkrimeve të lëna, ai ishte mjaft i përkushtuar. Shkrimet poetike fillimisht i kishte botuar në periodikun e kohës, para Luftës së Dytë Botërore, përkatësisht “Zotit”5, por, e tërë trashëgimia letrare i ishte dëshmuar me botimin e katër librave fare të vegjël me poezi, që nuk e kalonin numrin e faqeve mbi 15. Nganjëherë vetëm një poezi e gjatë a poemë ishte si një libër e veçantë.

Veprat e botuara që dihen, janë:

1. “Vajtimi mbi të paharrueshmen N.M.S. Mbretëreshën Nanë”, botues “Kristo Luarasi”, Tiranë 1934, 15 faqe,
2. “Vjersha”, shtypshkronja “Tirana”, Tiranë 1935, 14 faqe, libri i kushtohet prof. Filip Fishtës,
3. “Bajram Curri”, vjersha, shtypshkronja “Atë Gjergj Fishta”, Shkodër 1941, 13 faqe,
4. “Çamërija e lirë”, vjershë, pa vend dhe vit botimi,
5. “Kosova e lirë:”, vjershë, shtypshkronja “Atë Gjergj Fishta”, Shkodër 1941, 14 faqe,
6. “Kosova e lirë:”, vjershë, botues “Kristo Luarasi”, Tiranë 1941, 14 faqe.

Vepra “Kosova e lirë” e botuar në Shkodër, më 1941

Vjersha për Kosovën ishte botuar edhe në të përditshmen “Rilindja”.6

Vepra “Kosova e lire” e botuar në vitin 1941, një poemë me gjithsej 225 vargje, është një frymëzim për një pjesë të Shqipërisë, përkatësisht të pjesës më vitale të kombëtarizmës. Si edhe te poetët e deritanishëm, Kosova mban virtytet e asaj që nuk do të kishte krahasimtare tjetër për gjithçka që është madhore e një kombi. Por, në vijimësi, sikur të ishte i njëjti në të gjitha rastet, vjen dhimba për pushtimin e saj nga i huaji, i cili një herë ishte otomani e pastaj sllavi.

I përshkruar herë-herë me nota sentimentale e herë me ngritje të hoveve besimi për pashterrshmërinë e traditës çlirimtare, poeti Pirro Floqi edhe e përmbyll këtë poemë.

Renditja e historisë është me një ecuri faktike: niset me meritat që kishte në të kaluarën e të cilat ishin trashëgimore, vinin pastaj te realiteti, duke i derdhur të dhënat për robërinë, nënshtrimin, grabitjen, varfërimin, për të vazhduar në vijimësi për fitoren e patjetër, pasi lëshohej kushtrimi anekënd vendit. Të huajt “Nuk kursyen kurrnji shqyptar./ Banë çmos me t’qitun fare, / Moj Kosovë, Kosovë shqyptare”.

Poema për disa specifika tematike dhe mënyrën mbarështuese, i ngjet poemës së Pashko Vasës “Shqypnis së robnueme”. Ajo që është karakteristikë këtu, njësoj qahet fati i Kosovës dhe i pjesës tjetër shqiptare – Çamërisë:

Jo, jo kurr nuk e xa besë,
Se Kosova kshtu do t’jesë.
Kam uzdajë n’Zotin e qiellit
Se një dit rrezet e diellit
Kan me shkrep e me ngjallnue
Kam me shndrit e me trimnue,
Kan me njall çdo shpirt shqyptarit
Kan me i pri, po kosovarit
Kan me i çelë rrugen liris
…………………………
…………………………
…………………………
Bashkë me atë të Çamëris;

Parashikimi i fitores, sipas poetit, është me mobilizim, me bashkim të të gjithë kosovarëve, të cilët unji duhet të manifestojë kërkesën me çdo mjet qoftë:

Dilte vrik burr’ i Kosovës
Si prej Pej’s, si prej Gjakovës,
Si prej Plavet, si prej Hotit,
Qi i njef mirë njai syni i Zotit,
Si prej Kuçit a Gjilanit,
Qi ja kan dorën taganit,
A prej bjeshk’ve të Planinës,
Prej Tetovet e Gucinjës,
Prej Kërçovës s’Kaçanikut,
Tue ja shti mnderen anmikut.

Edhe kjo poemë, si të gjitha krijimet e tjera, përmbyllin mendimin se vendi do të jetojë i lumtur, me gëzime dhe përjetësisht në këto troje. Mjetet shprehëse janë të ndryshme, por ecuria dhe fillimi e fundi i tyre ngjason dukshëm.

Pirro Floqi nuk dyshonte në ardhmërinë e mirë të kosovarit, në aftësinë e tij për t’i dalë zot vetes dhe për të jetuar kombëtarisht mbarë, si të gjithë shqiptarët. Fundi i këtij krijimi më tepër vjen si urim i dalë nga një adhurues i kësaj pjesë shqiptare:

Rrnosh e kjosh Kosova trime,
Kjosh e lumtun, plot gëzime,
Kjosh e rrnosh ti porsa zallet.

Krijuesi ende nga ne i panjohur mirë me bio-bibliografi, nga kjo reflekton se ishte edhe një krijues me talent, të cilin duhet ta ketë dëshmuar me më shumë vepra, që shpresojmë t’i njohim më vonë. Nëntërrokëshi i vargut shprehës, me rimën aa, bb, cc, dd, ee, e tjerë, ka rrjedhën e një gurre me pak katarakte. Krijimi është bazuar me tepër në përshkrimet e karakterit, të veprimit dhe të fateve të njeriut të kësaj hapësire, për ta përcjellë fatin kolektiv nëpër situata karakteristike e dëshmuese kohore-nyje, atë të historisë dhe fateve të tërë një popullate. Momentet e dhimbjes, kur habia për mosmbajtje të asaj që ishte tradicionale këtu që nga lashtësia e madhe edhe në shtrirje më të gjerë, gjithshqiptare, janë thënë shkoqur.

Një ditë, kur njohim gjithçka për krijues-krijimet e Pirros, do të flasim më drejt, më bindshëm dhe me një mendim më jetëgjatë.

Pirro Floqi

KOSOVA E LIRË

Moj Kosovë, Kosova trime,
Pse vajton me aq idhnime,
Pse nuk çon syt kah Empiri
Prej kah nierit i vjen hiri?
Kah t’ka shkue trimnija e parë
Me fatosat t’u Shqyptarë,
Qi nuk din… nuk din shka a tuta,
Nuk i trembë kurr pushka as huta?
Shka t’ka gjetë, Kosova e shkretë,
Qi po t’shof me ftyrë të zbetë?
Pse, mjerisht, nji thund’r e vshtrirë
Rrin tue t’shkelë pa kurrnji mshirë!
Pse t’ra ty mbi qafë mizori,
Serbi i egër: ai gjaksori!
Qi pa shpirt e pa farë mshrire,
T’prishi zemër e dishire,
Tue të shkelë e tue t’varrue,
Tue të vra e tue t’coptue;
Edhe djelmt të gjith t’i korri:
Mija-mija i çoi tu vorri.
U shkretnue Kosova trime,
Ka mbetë vetem nder mjerime.
An e kand sot ndihet gjama,
Vaji, zija, lott e nama.
…Zot, shka kje gjith kjo poterë,
Qi setcillit me i shti mnderë?
Pse u shkretnue kjo tokë e gjanë,
A kje e drejtë të mjerë m’e lanë?
Shekujt mbarë a kan kurr pamun
Kaq dishmorë per dhe të ramun?
Si s’t’u hoqen mizorit
Digiet, pjekjet, tiranit
Qi ke hjekë prej osmanllis,
O moj zemr e Shqypnis!!!!
Kqyr nji herë se si n’qafë Slavi
T’ra, të shkeli, n’gjak të lavi.
Edhe sot rrin me krye ultë
Si e l’ngatueme: krejt pervujtë.
E shkado qi t’la Turkija,
T’a plotsoi dyfish Serbija!
Kjani, Kjani pra me mue
Kjani, kjani pa pushue,
Mbi Kosovë të ngratë e t’mjerë
Qi e ka mblue gjith kjo poterë,
Qi ka bjerrë shpresë e uzdajë,
As nuk din sot kah t’i a mbajë…
Kjajë trimni burrat që shkuene,
Kjajë të mirat që mbaruene…
Ra Kosova, ra krejt vdekun,
Ra pikë gjallë, ra krejt e mekun.
Serb’t si t’egjer e barbar
Nuk kursyen kurrnji shqyptar.
Bane çmos me t’qitun fare,
Moj Kosovë, Kosovë shqyptare.
Kaloi gzimi edhe lumnija
Mbaroi krejt per ty burrnija,
Qysh se dridhesh si purteka:
Thue t’ka ardhë mordja ase vdeka!!
Mblidhnju t’gjith, burra shqyptarë,
Per Kosovë dhe kosovarë:
Britni, kjani edhe vajtoni,
Ditë e natë kurr mos pushoni.
Kjani vlugune djelmnis,
Kjani lulen e Shqypnis
Qi ka mbetë e vejë, e shkretë
E përvajshme, n’ftyrë e zbetë
Zi dhe mnderë atje ka ra,
Me gjak vendi krejt a la!
Qyshë e latë, o kosovarë,
Vendin t’uej ashtu krejt mbarë:
Me ju djegun shpi e troje
Me ju marë buken buzë goje
Pasuni, lopë edhe shtjerrë
Gjanë e gjallë, tokë edhe djerre?
Qyshë durohet Serbi n’derë
Me ju vra e me ju therë
Nder zakone me u-dhunue,
Varza e motra me u shnjerzue?
Me ju gri me mitraljoza,
Me ju ba krejt hi e bloza…
Kjajë, pra kjajë, Kosovë e mjerë,
Për fatosa qi ke bjerrë.
Kjaje vlugun e trimnis,
Kjaje ajken e djelmnis,
Kjaje tokën qi u shkretnue,
An e kand sot me gjak mbulue!
Po a thue s’je Kosova e parë,
Ti qi t’dasht’ nen Shqypni mbarë
Me trimni fort e madhnove,
Namë e za ti ja naltove,
Ti qi rrxove sa Sulltana
Me djelm t’u t’letë porsi Zana?
Po edhe sot çdo mal e prrue
Si çdo kodër e çdo krue
Za ngadhnjimesh prap jehojn,
Namin t’and duen prap t’dishmojn.
Si prendoi kjo kohë kreshnike,
Për ket tokë gjithmonë fisnike!
Ku gjimojshin pushk’t breshana,
Tuj u turrë trimat si Zana,
Ku, si fletë, çetat anmike
Bijshin rrash, t’mekun prej frike,
Dhe ku kanga shungullote,
Mal e fushë e bjeshkë jehote:
Djelm e burra kosovarë
Në mejdan delshin krenarë
Mirë mberthye me armë të leta
E me pushkë e me shigjeta.
Ah! u-zhduk krejt porsi n’anderr
Si një voesë e si një gjanderr
Gjith ajo madhni me namë
Tue mos mbetë veç zi e gjamë.
N’at tokë t’bukur kosovare,
Kenë gjithmonë çerdhe shqyptare,
Si me u-zhdukë kjo kohë e lume
Per Shqypni përherë t’bekume?
Koha n’za e mrekullis,
Për t’u drashtë prej Osmanllis,
Tue lanë namë dhe lavd Shqypnis
Tue shti mnderen mbarë Turkis
Kur njato pushka breshana,
Karajfile dhe shishana
Krisshin plot me fishkullime:
Porsi rr’fe me bumbullime,
E gjimojshin fushë e male
Bjeshkë e det e l’qej e zalle,
Edhe zani tuj ushtue
Gadi Zotit i asht afrue.
Njallshin zemra me krahnore
Ndiesi t’buk’ra atdhedashtnore
Edhe e luftës kanga trime
Gjithkund kriste ashkë me gzime.
E thue sot: gjith ata trima
Kan mbarue zhdukë si vetima?
Thue me shpresa hupi ngeli,
Pse Kosovën Serbi shkeli?
A thue ‘i mend se shkoi tanë shpresa,
Porsi njegulla, si vesa?
Mos kujtoni, ju malcorë,
Se i perhershmi ka hjekë dorë
Prej Kosov’s qi aq fort permendet
Kah bjen dielli e hana endet.
Jo, jo kurr nuk e xa esë
Se Kosova kshtu do t’jesë.
Kam uzdajë n’Zotin e qiellit
Se nji ditë rrezet e diellit
Kan me shkrepë e me gjallnue
Kan me shdrit e me trimnue,
Kan me njallë çdo shpirt shqyptarit
Kan me i pri, po, kosovarit
Kan me i çilë rrugen liris
Tue ja falë kta bij Shqypnis
Ka me shndritë kjo si brilanti
Me kandritë ka si djamanti
Mbi kunoren e Mbretnis
Bashkë me atë të Çameris;
Pse atje nalt kur nuk tha Zoti
Kjo Kosovë, si tym baroti,
Kshtu qi t’zhduket e t’mbarojë
Thundra e anmikut t’a farojë!
Perëndija s’e ka thanë
Qi robneshë me ndejë n’nji anë
Kjo qi fort martirizue
Asht trimnin tue trashigue.
Qyshë se doli drita e diellit
E na erdh kjo rreze qiellit
Qyshë se bota ko krijue
E shqyptari kje trajtue.
Po dikur ky tue zemrue
Shok’t e vet, ka me fitue
Troet e para. Thundra anmike
Ka me u heshtë para asaj frike,
Edhe at-herë ka me dishmue
Me t’vërtetë, tuj e besue,
Se mbarë toka kosovare
A tokë shejte, tokë shqyptare
Mblidhnju, pra, mor’ju Shqyptarë
T’gjith sa jeni, e kosovarë:
Sot asht dita me kërkue,
Lirin t’uej ju me fitue
Jeni burra si vetima,
Jeni t’rrebtë, porsi ushtima:
Kur në luftë keni qillue,
Burni mjaft keni tregue;
Por njetash duhet burrnija,
Zemra e ndezne: atdhedashtnija.
Kur kersitte, tjera herë,
Pushka qi përhapte mnderë,
Toka e qiellë tue bumbullue.
Edhe sh’ndija rreth tue l’shue,
Dilte vrik burr’ i Kosovës
Si prej Pej’s, si prej Gjakovës,
Si prej Plavet, si prej Hotit,
Qi i jef mirë njai syni i Zotit,
Si prej Kuçit a Gjilanit,
Qi ja kan doren taganit,
A prej bjeshk’ve të Planinës,
Prej Tetovet a Gucinjës,
Prej Kerçoves s’Kaçanikut
Tue ja shti mnderen anmikut.
Por shka t’thom un fill ma parë
Per kta trima kosovarë,
Trima n’za, sokola malit,
Kurse plaku ja del djalit,
E nder lufsta nierz ma t’zot
Bota kurr nuk pa der m’sot.
Pra, Shqyptarë, kqyrni t’bashkohi,
Porsi vllazen ju t’shterngohi,
Leni smirë, leni çdo mni,
Lidhni besë, lidhni miqsi
Votrat, fiset, nderen pshtoni,
Tokt e hup’ na sot fitoni.
Pse ka thanë Zoti i vërtetë,
Se Kosova gjallë do t’jetë,
Prap do t’njallet, do t’naltohet,
Do t’qindrojë, e do t’smadhohet:
Per nen flatrat e Shqypnis
Ka me gzue vjett e liris;
Ka me rrnue, po, kosovari
Qi nder dej ka gjak shqyptari.
Rrnosh e kjosh Kosova trime,
Kjosh e lumtun, plot gsszime,
Kjosh e rrnosh ti porsa malet,
Porsa fushat, porsa zallet.

1941, Tiranë

REFERENCA:

1. Prof.dr. Stilian Adhami: “I anatemuari Kristo Floqi “, Gazeta shqiptare , Tiranë, 20 tetor 2008,
2. Fritz Radovani: “’Pasaporti’ i Pirros”, Zëri i Shqiptarëve, 3.12.2013
3. Më gjerësisht po aty
4. Po aty
5. Botuar në “Lajmëtari i zêmrës së Krishtit”, Shkodër, tetuer 1940
6. “Rilindja”, 8 mars 1998, f. 9

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu