Pazari me ligjin për tokat bujqësore, si klientët e qeverisë do të shpërblehen me parqe fotovoltaike

Nga fotovoltaikët te klientët e pushtetit, debati që po trazon edhe PS-në…
Projektligji i qeverisë për ndryshimin e ligjit “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”, i cili u miratua dje në Kuvend, ka hapur një debat të fortë politik, jo vetëm me opozitën, por edhe brenda vetë Partisë Socialiste.
Për herë të parë, mazhoranca propozon që toka bujqësore të mund të përdoret edhe për aktivitete agrifotovoltaike dhe parqe eolike, ndërsa kriteret se cilat toka d
o të përdoren dhe si do të jepen do të përcaktohen më pas me vendim të Këshillit të Ministrave.
Ndryshimet parashikojnë që qeveria të vendosë rregullat për përdorimin e tokës bujqësore për impiantet agrifotovoltaike dhe eolike në toka me bonitet deri në 8, si edhe mënyrën e monitorimit dhe tarifat që do të paguajnë subjektet që prodhojnë energji.
Por pikërisht kjo pikë ka ndezur alarmin. Gjatë shqyrtimit në Komisionin e Ligjeve, kundër projektligjit doli jo vetëm opozita, por edhe deputeti socialist Damian Gjiknuri, ish-ministër i Energjisë. Ai kundërshtoi nenin që lidhet me parqet eolike, duke argumentuar se këto impiante kërkojnë struktura masive betoni dhe nuk mund të konsiderohen të padëmshme për tokën bujqësore. Debati me ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja u tensionua deri në atë pikë sa Gjiknuri braktisi mbledhjen e komisionit.

