Osmani kujton se gjuha linçuese ka shkaktuar vrasje pas luftës: Këtë institucion e ka ndërtuar presidenti Ibrahim Rugova
Presidentja Vjosa Osmani, e cila është vënë në shënjestër të një fushate linçuese pasi nënshkroi një dekret për shpërndarjen e Kuvendit pasi institucioni ligjvënës nuk arriti ta zgjidhte Presidentin e ri, sipas afatit kushtetues, dhe kjo e irritoi kryeministrin Albin Kurti dhe partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje.
Ajo tha se kërcënime, si ajo me pushkatim, në një fushatë kërcënimesh për të cilën Prokuroria Speciale inicioi dje rast penal kanë sjellë edhe vrasje.
“Tani të barazohem me Vuçiqin, kjo, po e them, është e rrezikshme, sepse ka rezultuar edhe me thirrje publike për pushkatim sot. Siç e dini, gjuha e tillë linçuese në vitet e pasluftës në Kosovë ka rezultuar me më të keqen”, tha Osmani dje në një intervistë në Syri TV.
Ajo tha se “natyrisht që këto konspiracione, këto shpifje, këto sulme në asnjë moment nuk do të më zmbrapsin”.
Osmani foli për një komplot ndaj saj, të cilin tha se “koha do ta dëshmojë”.
“Kur aleatja më e fuqishme e tyre trajtohet kështu, llogariteni të tjerët… Është për keqardhje sepse secili prej nesh në këto momente do të duhej t’i mbronim institucionet e Republikës së Kosovës, e jo të bënim thirrje për pushkatim të presidentes, të bazuar në gënjeshtra të pastra”.
Osmani tha se “liria nuk është e plotë në qoftë se përdoren linçime të tilla dhe bëjnë thirrje për dhunë politike”.
Në këtë pikë, ajo përmendi se institucionin e Presidentit “e ka ndërtuar Ibrahim Rugova”.
“Pra, dallimet në mendime do të duhej të ishin normale në demokraci. Po e them sërish, këtë institucion e ka ndërtuar presidenti Ibrahim Rugova si institucion të fortë, si institucion që e mbron demokracinë, si institucion që embron Kushtetutën dhe si institucion që i mbron aleancat, e në veçanti aleancën e shenjtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtë e kam bërë dhe si të tillë do ta lë më 4 prill”, tha ajo.
E pyetur nëse ajo mund të kthehet në Lidhjen Demokratike të Kosovës pasi t’i përfundojë mandati, Osmani tha: “Do ta shoh se cili është interesi më i madh i Republikës së Kosovës në këto momente”.

