Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër
Pas konstatimit të një shkrimi të postuar në rrjetin social Facebook të tij nga punonjësi i Policisë N/Komisar Prelë Milani dhe më pas është publikuar nga një portal, shkrim ky në shkelje të Ligjit të Policisë së Shtetit, ju informojmë se Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, menjëherë ka bërë pezullimin nga detyra të punonjësit të Policisë.
Njëkohësisht, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin disiplinor ndaj punonjësit të policisë Nënkomisar P. M., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë në DVP Shkodër, për shkelje të parashikuar nga neni 121, pika 1, germa “m” – “Kryerja e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi”, dhe pika 2, germa “a” – “Shkelja e rregullave të papajtueshmërisë me funksionin ose të kufizimeve për shkak të funksionit”, të Ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”.
Policia e Shtetit siguron qytetarët se strukturat e saj janë të angazhuara maksimalisht në luftën kundër krimit dhe paligjshmërive, si dhe për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë gjithë procesit zgjedhor.
Në zbatim të nenit 6 të Ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, Policia është institucion i administratës shtetërore, i depolitizuar, i baraslarguar nga subjektet politike, tërësisht në funksion të zbatimit të ligjit dhe në shërbim të qytetarëve.
SHKRIMI :
Më 11 maj më të varfërit e Shqipërisë do të votojnë për njerëzit më të pasur dhe më të pushtetshëm të këtij vendi. VIP- at kanë dalë me tupan dhe me përulje përgjëruese u bien në gjunjë atyre që i duan vetëm për një ditë dhe që të nesërmen, i urrejnë, i përbuzin dhe i shkelin me patkoi pele ekonomikisht.
Caktimi i zonjave Bardeli dhe Koçeku, ka krijuar një entuziazëm spektakolar në radhët e komunitetit dukagjinas të papërfaqësuar për mëse 25 vjet. Çdo individ, komunitet dhe shoqëri gabon, rrëzohet por ata që vetëkorrigjohen dhe ngrihen shpejt ecin përpara, ndërsa kush gabon në vijimësi nuk ka të ardhme.
Nëse i kthehemi historisë sonë plurale, foshnjore qe braktisja e Kolë Tonajt dhe rendja pas Ali Spahisë me 1996. Zgjedhje naive, pa aftësi dhe inferioritet e të majtëve, qe dhurata bujare që i bënë Lek Çukajt me 1997. Mos harroni se në vitin 1996 dhe 1997, Fatos Nano i dha tagër PS të Shkodrës të zgjedhë vetë baza kandidatët.
Shala, Shoshi, Pulti, Postriba e Shllaku, anashkaluan vetvete dhe propozuan Lekë Çukën. Postriba foli troç dhe burrërisht: “Kë të propozoni ju, mbështesim ne”. (Gjithsesi Leka “dritë pastë” qe fort, fort hajr-bam për dukagjinasit e familjes socialiste). “Donkishotizmi”, pushtoi majat në vitin 205 kur Pal Lera, u hodh në “nokdaun” vetë nga dukagjinasit për Astrit Bushatin që nuk kishte kenë kurrë në Dukagjin .
Ka 30 vite që nuk kam pushuar së thirruri për vetëpërfaqësimin e Dukagjinit dhe asnjëherë për vete! Dy çikat e mira që do jenë deputete, më gëzuan dhe i kam përshëndet me shumë dëshirë por mos harroni nuk janë asnjëra, zgjedhja jonë. Është një listë 13 ose 14 garues dukagjinas të ri, të arsimuar me perspektive.
E kam pritë më gëzim këtë gjeneratë të re që po vjen! Jam i bindur se ata që nuk duan përfaqësimin e Dukagjinit, do ta kenë shumë më vështirë të përballën me këtë armatë sesa me atë të brezit tim të djegur. Ajo që më shqetëson dhe më tremb është, pse kaq shumë lojtarë në një fushë kaq vogël? A rrezikoni t’i thyeni “brirët” njeri tjetrit. Rama e Berisha gjithçka mund të jenë por jo budallenj!
Aq sa kanë futur në listat e mbyllura, me plus minus 1 e shumta 2, do lëvizin kandari elektoral. Në këtë muaj të nxehtë, kur secilit i duket vetja mbret, Dukagjini ka një provim shumë të vështirë. Të zgjedhin cili do të jetë deputeti i dalë nga lista e hapur e plebenjve! Greta e Marjana janë dhuratë nga Zotat e fronit. Ka edhe utopistë fejsbuku që thonë se Dukagjini do të thyej rekordin olimpik duke bekuar katër “senatorë”.
Kjo është një “mrekulli” sa e bukur aq e pamundur. Por nëse Dukagjini nuk çon të tretin e vet në Tempullin e Tiranës, atëherë duhet recituar metafora poetike e një librit tim “Burrat vdiqën, rrofshin gratë”! Rroga 4- 5 mijë qoftë edhe për 14 garuesit, nuk i vlen asgjë Dukagjinit. Ne na duhet përfundimi i rrugës automobilistikë Shkodër- Dukagjin- Qafë e Agrit- Gjakovë dhe përfarimi me rrugë dytësore i Thethit me Lumin e Shalës. Na intereson shumë edhe hidrocentrali i Nën Mollës në Shosh. Na duhet një përfaqësi lotuese dorëbashkuar e gjithë deputetëve verior për projektin evropian të hekurudhës madhore Shkodër- Dukagjin- Gjakovë, na duhet certefikim i pronave.
Shikoni titujt editorial të Gazetës “Dukagjini” ndër vite. Dëgjojeni thirrjen e zërave me të artikuluar publik si Lazer Kodra, të ndjerit Luigj Shyti, Zef Gjeta, Lazer Stani, Ndue Sanaj, Zef Nika, Suela Ndoja, Mëhill Shkëmbi,
Agron Prebibaj. Kushtrimi i Pal Shkambit mbetet aktual, i cili sot, nuk është më një zë i vetëm në shkretëtirë. Dëgjojeni edhe melosin bashkëpunues mes meje dhe Gjovalin Shanit, Pal Shkambit. “Dukagjin deli zot vetit”.
Mos harroni protestën dhe peticionin e parë publik të përmasave të tilla për mosfshirjen e Dukagjinit nga harta elektorale, madje ankesa jonë fle në akoma në Gjykatën Kushtetuese. Është koha kur emocioni, tifozëria, duhet të mbahen nën frerin e fortë të logjikës së ftohtë, pragmatiste, të dobishme që Dukagjini të futet si Thethi në rrugën e zhvillimit të turizmit malor gjithëvjetor.Deputeti i trete është prova e madhe, a keni zënë mënd apo jo?! Një herë 50 vite apo një shekull, mund tu vijë ky “zog” i tillë në dorë. /Nga Prelë MILANI, publikuar në Facebook/