E martë, Nëntor 12, 2024
KreuPakategoriAtentati ne SHTOJ: U zbrazen 4 karikatore dhe 106 plumba mbi objektivin...

Atentati ne SHTOJ: U zbrazen 4 karikatore dhe 106 plumba mbi objektivin Gjon NIKA dhe Kunatin e tij..

Disa detaje të reja kanë dalë nga plagosja e efektivit të policisë Gjergj Ndërshtiqaj në Shkodër dhe kunatit të tij Gjon Nika mbrëmjen e kaluar. Dy të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Shkodrës ndërsa secili kanë marrë nga dy plumba në trup. Të dëmtuarit janë qëlluar me 106 plumba, mbi katër karikatorë automatiku por duke shpëtuar mrekullisht. Pas ngjarjes së rëndë tre automatikë kallashnikov janë gjetur në automjetin e djegur të autorëve ndërsa janë sekuestruar nga policia si provë materiale. Dy prej automatikëve që janë përdorur u gjetën në sedilen e përparme ndërsa arma e tretë automatik është gjetur në bagazh dhe mendohet se ishte rezervë. Po ashtu autorët dyshohet se kanë qenë të maskuar ndërsa nga pamjet e kamerave të sigurisë është e paqartë nëse kanë qëlluar pasi kanë dalë nga makina e tyre apo nga brenda makinës. Nga kamerat nuk është arritur të bëhet identifikimi për shkak se autorët nuk dalin në pamje.

Ndërkohë polici Gjergj Ndërshtiqaj ka patur armën e shërbimit me vete, por nuk e ka përdorur pasi nuk ka arritur që të kundërpërgjigjet.

Të plagosurit janë qëlluar sapo kanë dalë nga makina e tyre e cila nga plumbat e shumtë mori flakë. Në momentin që ka nisur breshëria e plumbave polici dhe kunati i tij janë fshehur pas automjetit të tyre ndërsa i treti që nuk u plagos ka arritur që të largohet në një fushë aty afër duke humbur mes errësirës. Autorët me një automjet fouristradë pa targa dyshohet se i kanë ndjekur të plagosurit nga mbrapa dhe këta të fundit pasi janë ndalur në afërsi të një lokali menjëherë i kanë qëlluar.

Të dëmtuarit janë shprehur pasi janë marrë në pyetje se nuk kanë arritur që të shohin se kush ishin autorët. “Sapo zbritëm nga makina dëgjuam të shtëna armësh. Nuk kemi arritur që të shohim se kush ishin ata që na qëlluan me armë. Nuk kemi konflikte me persona të tjerë dhe nuk e dimë arsyen përse na qëlluan. Në momentin kur nisën të shtënat kemi lëvizur me shpejtësi duke u munduar të shpëtojmë. Derisa janë larguar qëndruam pas makinës”.

  1. Sipas burimeve policore objektivi ka qenë shtetasi Gjon Nika. Ndërkohë në Shkodër menjëherë pas kësaj ngjarje të rëndë mbërriti drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Muhamet Rrumbullaku duke qenë në krye të hetimeve. Është ende e paqartë se cili është motivi i kësaj ngjarje të rëndë. Policia ka shoqëruar disa persona por pa arritur ende tek autorët e dyshuar. (BalkanWeb)

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Shkrimet e fundit