Nga shkarkimi pa lavdi tek kryengritja kushtetuese ndaj Ramës. Lëvizja e Veliajt që i jep një dorë apatisë së PD

Nga Desada Metaj
Erion Veliaj, më në fund, u bë i gjallë politikisht. Ankimimi i tij në Gjykatën Kushtetuese, edhe pse në pamje të parë duket një lëvizje rutinë, në fakt mbart një peshë politike të shumëfishtë dhe aktin e parë politik të ish-numrit 2 të PS.
Së pari, ky është akti i parë publik që e vendos Erion Velinë hapur në kundërshtim me partinë e tij dhe, sidomos, me kryeministrin Rama. Çdokush e kupton se shkarkimi i Veliajt nuk erdhi nga një tufë këshilltarësh bashkiakë që, “pa sy e pa vesh”, guxuan të rrëzonin komandantin e tyre. Ishte një lëvizje e menduar, e udhëzuar dhe e zbatuar nga vetë Rama, madje nga selia e PS. Veliaj është shkarkuar nga dora e Ramës. Prandaj ankimimi i tij në Kushtetuese është, në thelb, një kryengritje në pallatin e kryeministrit.
Së dyti, ky reagim ishte i pritshëm prej kohësh nga ish “numri dy” i PS. Jo vetëm për shkak të peshës së tij të supozuar politike, por edhe për padrejtësitë ligjore e kushtetuese që ai pretendon se i janë bërë.
Së treti, lëvizja e Veliajt ka efekt zinxhir edhe në opozitë, e cila për të disatën herë është kapur në befasi, pa kandidat për zgjedhjet e ardhshme në Tiranë. PD si partia më e madhe ndodhet në situatën më të dëshpëruar të ekzistencës së saj: figurat e vetme politike të saj me njëfarë kuptimi publik bëjnë “kërcime pindarike” për t’iu shmangur kandidimit, si djalli temjanit. Tani shpresa e vetme e tyre ka mbetur shtyrja e zgjedhjeve. Me iluzionin se koha do t’u zgjidhë diçka dhe do t’ua shpëtojë fytyrën përpara humbjes që duket kaq e pamundur të shmanget.
Për ironi të fatit dhe habitshëm po kaq rastësisht, fati i Erion Velisë dhe i opozitës është në dorën e Gjykatës Kushtetuese. Më saktë, në duart e gjyqtares relatore Sonila Bejtja, e njohur për lidhjet e saj me PD-në e Berishës. Procedurat në këtë rast janë të qarta: pas hedhjes së shortit, gjyqtari relator ka të paktën 30 ditë afat për të përgatitur çështjen; më pas caktohet data e gjykimit në themel, çka kërkon përsëri rreth një muaj kohe. Nëse çështja Veliaj rrëzohet, atëherë topi kalon në fushën e Presidentit, i cili duhet të caktojë datën e zgjedhjeve — me shumë gjasa duke lënë të paktën 30 ditë hapësirë për një fushatë formale.
- Me këto llogari afatesh ligjore, zgjedhjet e mundshme për Bashkinë e Tiranës mund të zhvillohen diku rreth Krishtlindjeve. Fati i Veliajt dhe afati i zhvillimit të garës për Tiranë mbeten në duar të pasigurta juridike dhe frikëra të mëdha politike. Me siguri dihet se deri në fund dhjetori opozita do ta ketë gjetur një kandidat. Fatin e të cilit, me këtë katandisje, nuk e ndriçon dot as relatorja e GJK dhe as fati i parashkruar i Erion Veliajt. Krishtlindjet me gjasë do të shënojnë një fund të hidhur për mëtonjësit e vendit të Edi Ramës dhe atyre që, në vitin e 13 të opozitës, sillen rreth vetes të pashpresë dhe të paqartë më shumë se kurrë në këto 30 vitet e fundit.