Ndërprerja e filmit në gjuhën shqipe në Mal të Zi alarmon BE-në: Isë Qosj, nuk është diçka befasuese!


Delegacioni i BE-së shpreh shqetësim për lirinë e shprehjes pasi disa të rinj ndërprenë shfaqjen e një filmi që po projektohej si pjesë e një festivali të filmit në rrugë.
Delegacioni i BE-së në Mal të Zi ka shprehur shqetësim pasi shfaqja e një filmi në gjuhën shqipe u ndërpre të mërkurën në mbrëmje në Podgoricë.
Shfaqja e filmit “Lejleku”, që ishte pjesë e festivalit ndërkombëtar të filmit në rrugë “Dzada”, në lagjen Zabjelo të kryeqytetit, u ndërpre nga një grup të rinjsh që protestuan me zë të lartë.
Delegacioni i BE-së, i cili kishte mbështetur financiarisht festivalin, theksoi se “liria e shprehjes artistike është pjesë përbërëse e lirisë së fjalës dhe një nga vlerat thelbësore demokratike”.
“Lejleku” është një prodhim kryesisht malazez i regjisorit të njohur Isë Qosja, i lindur në Vuthaj të Plavë Gucisë, dhe është prodhuar nga Ivan Djuroviq i kompanisë Artikulacija Film.

Isa Qosja
Filmi zhvillohet në një fshat të vogël malazez në kufi me Shqipërinë. Siç theksojnë krijuesit e tij, ai ballafaqon shikuesin me “tema universale që mbeten të gjalla edhe sot, si degradimi i grave, trafikimi i qenieve njerëzore, martesat e rregulluara, identiteti, seksualiteti, vetëvrasja, pritshmëritë shoqërore dhe lufta për ekzistencë”.
Organizatorët e festivalit kujtuan publikun se festivali “Dzada” është “rreth së qenit bashkë, shikimit të filmave nën qiellin e hapur, respektimit të dallimeve dhe lidhjes së njerëzve përmes filmit”.
Çarna Rastoder, nga Drejtoria e Policisë, i tha BIRN-it se policia shkoi në vendngjarje, por nuk gjeti personat që u raportua se shkaktuan incidentin.
“Procedurat policore janë në vazhdim, dhe prokuroria është njoftuar”, tha ajo, duke shtuar se “po përcaktohen faktet dhe rrethanat e ngjarjes, dhe informacionet po mblidhen nga burime të shumta”.
Por gazetari Zoran Raduloviq, nga e përjavshmja Monitor, i tha televizionit Vijesti se kishte dyshime mbi reagimin e autoriteteve.
“Nuk kemi dëgjuar nga strukturat kompetente të sigurisë se si është e mundur të ketë një ngjarje publike që mund të ndërpritet nga kushdo, pa pasur askënd aty për të mbrojtur qytetarët”, tha ai.
“Ku ishte policia atë mbrëmje?”, pyeti ai. “Nëse dikush ka një problem mendor dhe e shqetëson gjuha, kombësia, orientimi seksual ose ngjyra e lëkurës së një personi tjetër – në një shoqëri normale, kjo do të ishte problem i tyre, i familjes së tyre dhe i institucioneve përkatëse që duhet të merren me të.