E hënë, Nëntor 18, 2024
KreuPakategoriPrel MILANI : Ardhsh i bardhe zoti Kryeminister ne Dukagjin,por nuk duam...

Prel MILANI : Ardhsh i bardhe zoti Kryeminister ne Dukagjin,por nuk duam “rrugë te bardhë”…

NGA PRELË MILANI – Zoti Kryeministër, ardhsh i bardhë në Dukagjin por nuk duam “rrugë të bardhë”…

Urimi më bujar shqiptar për mikun është fjala fisnike “ardhsh i bardhë”! Po flitet dhe shihen disa lëvizje paralajmëruese për ardhjen e Kryeministrit Z. Edi Rama në Theth në këtë fundmuaj. Qershori faqe zjarrtë po ia dorëzon rendin kohor një korriku akoma më rreze ngrohtë. Sipas premtimit publik Kryeministri po vjen të dorëzojë certifikatat e para të titujve të pronësisë fshatit me hirplotë të bjeshkëve tona alpine.

Një ngjarje me fort rëndësi, po aq e vonuar sa dhe e shumë mirëpritur. Edhe ata që dëshirojnë e luftojnë për rrëzimin tuaj edhe ata që i këndojnë: Tungjatjeta pushtetit tënd kur bëhet diçka e mirë, duhet t’i bashkoj urimi. Të lumtë! Regjistrimi dhe certifikimi i pronave të shkatërruara dhe braktisura nga kjo luftë e tmerrshme migruese dhe emigruese duhet vijojë pa ndërprerje dhe me ritëm sa më të shpejtë në çdo fshat të tre njësive administrative të Dukagjinit.

Si Kryeministri më fuqiplotë e më jetëgjatë i shtetit tonë, pas të talentuarit dhe dorëçeliktit Mehmet Shehu, po vini në Dukagjin si më i mirëprituri ndër të gjithë paraardhësit tuaj, pasi keni premtuar lidhjen me asfalt të unazës së Dukagjinit, e cila deri fatkeqësisht ka fituar namin si “rruga e vdekjes”. Punimet kane filluar nga dy drejtime, ku Kiri dhe Breg Lumi po shijojnë “mrekullinë “natës së parë” të një martese të shumë vonuar. Si martesa në kohë, si martesa në pleqëri nuk të shijojnë kurrë njësoj.

Siç shihet dhe siç dihej ende pa filluar, po gatuhet një bukë më miell hua të lypur në disa magje. Ka patur prononcime mediatike dhe jo pak zëra të fushave të ndryshme qoftë për avashtësinë por më rëndësishmja për cilësinë e punimeve. Punëtori jo i mirë kurrë nuk ka bereqet dhe nuk bëhet shtëpi e mirë. Një nga shkaqet që jemi vendi më i prapambetur në Europë ne, është se kemi qenë të natyralizuar me një perandori të fuqishme që më shumë se punën ushqente plaçkitjen, ndaj kemi mbetur pas të gjithëve se jemi punëtorë jo të mirë.

Sektori i Karmës së Kirit më gjarpëruesi, tashmë ka marrë konturimin e një rruge të ngushtë në shume vende jo 5- metroshe, por ka një bazament solid dhe ndërsa struktura gëlqerore e shpateve krijon qëndrueshmëri. Pa qenë specialist, mua më shqetësojnë më shumë sektorët e tjerë. Sektori Guri Maç- Gështenja e Thaçit, Ndërlysa- Breg Lumi dhe akoma më shumë Lotaj- Mali Shoshit-Plavra. Në këto vende gjëja më elementare është zgjerimi pasi formacionet janë krejt të buta.

Duke qenë sa të buta po aq të paqëndrueshme dhe me lagështi muret mbrojtëse dhe veprat e kullimit kanë një kosto shumë më të lartë se zgjerimi. I bukur duket sot zgjerimi Ndërlysa- Breg Lumi por po nuk u ndërtuan muret mbrojtës, qindra e qindra metër kub shembje deri në shpërfytyrim do kemi sa fillojnë shirat e parë të vjeshtës.

Zoti Kryeministri po gurgullojnë zëra jo të paktë se kjo rrugë pas zgjerimit do mbetet një rrugë e bardhë e pa asfaltuar. Uroj që të jenë vetëm thashetheme keqdashëse! Nëse kjo rrugë mbetet e bardhë, gjithçka është investuar, do jetë një blof i zi si korbi e vajtues si sorra. Natyra me sasinë më të madhe të reshjeve vjetore shqiptare, terreni i përthyer, shkelja e dendur dhe pamundësia për ta mirëmbajtur, janë arsyet që asfaltimi duhet filluar sa më parë. Në lidhje me asfaltimin nuk do ketë asnjë kompromis me banorët e Dukagjinit qofte të majtë, të djathtë, ateist apo besimtarë. Zoti Kryeministër, ardhsh i bardhë, por nuk duam as nuk do pranojmë një rrugë të bardhë! /Nga Prelë MILANI, publikuar në Facebook/

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Shkrimet e fundit