Gjykata e Bosnje-Hercegovinës e ka dënuar presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalesë të ushtrimit të detyrës politike, për mosrespektimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare, Christian Schmidt.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të këtij entiteti, Millosh Llukiq, është liruar nga të gjitha akuzat.

Në pritje të vendimit, në Banjallukë është mbajtur një protestë si shenjë mbështetjeje për Dodikun.

Disa janë parë duke mbajtur mbishkrime “Dënimi i presidentit, sulm ndaj Republikës Sërpska” dhe “Sërpska është krenaria jonë, presidenti mbrojtësi ynë”.

Dodiku është parë të mërkurën duke hyrë në ndërtesën e Kuvendit Popullor të Republikës Sërpska në Banjallukë, i cili ka mbajtur seancë para shpalljes së aktgjykimit. Më herët ai kishte thënë se nuk do të paraqitet në shpalljen e aktgjykimit para Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës në Sarajevë.

Pamje nga Banjalluka.

Pamje nga Banjalluka.

Pas një procesi gjyqësor, që ka zgjatur më shumë se një vit, Gjykata e Bosnjës do të shpallë aktgjykimin e shkallës së parë, ndaj të cilit Prokuroria e Bosnjës dhe mbrojtja do të kenë të drejtë ankese.

Dodik akuzohet për nënshkrimin e dekreteve presidenciale, me të cilat shpalli të vlefshme dy ligje jokushtetuese të Republikës Sërpska, të cilat më parë ishin shfuqizuar nga Përfaqësuesi i Lartë. Bëhet fjalë për ligjet mbi moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës, dhe moszbatimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në territorin e Republika Sërpskas. Llukiq akuzohet për publikimin e këtyre ligjeve dhe dekreteve në Gazetën Zyrtare të Republikës Sërpska.

Kodi Penal i Bosnje-Hercegovinës për mosrespektimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë parashikon dënim me burg prej gjashtë muaj deri në pesë vjet, si dhe mundësinë e shkarkimit nga detyra të një individi dhe ndalimin e veprimtarisë politike.