Ripostim nga nostalgjia për Bogën, që i fala 5 vjet nga rinia ime
Pasi ke lënë prapa luginën madhështore të Bogës, duke përshkuar kthesa, rrëpira, përroje e humnera të panumërta, nën kërcënimin e frikshëm të kurorave hijerënda të maleve, mbërrin në Qafë të T’thores, aty ku i thonë Buni i Bajraktarit. Buni në vetvete është një lloj stani, por edhe një vend bujtjeje.
Ndërsa pronari i këtij buni ka qenë bajraktari i Bogës, një burrë i përmendur, me përmasa pothuajse epike, Tom Gjeri i famshëm. Ky objekt sot është restauruar nga pasardhësit e kësaj familjeje dhe ka marrë formën e një bujtine që frekuentohet nga udhëtarë e vizitorë vendas e të huaj. Ky vend përbën një pikë dominante; një teatër të vërtetë natyror, një fushëpamje të pakufizuar për syrin e njeriut, i cili në gjendje të lirë dhe pa mjete optike mund të dallojë e të shquajë që aty gjithë Luginën e Shalës, vargun e fshatrave që spikasin në shpatet e kësaj lugine të bukur e deri në malet dhe lartësitë e Pukës.
Duke parë këtë spektakël, m’u kujtua poeti ynë Gjergj Fishta. Dhe shkaku pse m’u kujtua ishte ky: Patër Gjergji vinte një herë në vit në këtë vend thuajse magjik, thjesht dhe vetëm për të medituar. E drejtë, e arsyeshme, e bukur, por edhe mjaft e çuditshme. Një udhëtim i tillë shpirtëror me mjetet e atëhershme të udhëtimit! Dhe si do të ketë qenë meditimi i Fishtës? Meditimi i një mistiku fetar apo i një artisti. Çfarë vegimesh mund t’i kenë paraqitur shpirtit të tij kompleks ato gdhendje të artit hyjnor? Mos vallë Fishta vinte aty si mistik për të parë vogëlsinë e njeriut përballë madhështisë së krijuesit?
Një demonstrim i tillë i shestimeve hyjnore që shpalos misteret e bukurisë në përmasa gjigante në atë që ne i themi madhështore. Në një ansambël të tillë, jo vetëm njeriu, por edhe veprat më të mëdha të njeriut ngjajnë të vogla. Madhështorja jep idenë e pafundësisë. Aty çdo gjë është enigmatike, duke filluar me ajrin që ka peshën, freskinë dhe transparencën e pazakontë dhe përshkohet nga jehonat e bjeshkëve. Me pamjet hijerënda dhe kërcënuese të shpateve dhe majave të zhveshura të Bigës së Gimajve, Radohimës, Majës së hekurave; me imazhet madhështore të çetinave që ngjajnë si floknaja mistike përreth faqeve të lëmuara e të ftohta shkëmbore, me zajet e bardha me shkëlqim verbues të lumenjve e përrojeve dhe me grumbuj të pashkrirë dëbore të përjetshme nëpër qetat e shkëmbinjve.
Si poet Fishta do të ketë ardhur këtu si në çifligun e tij poetik, sepse është edhe çifligu poetik i Ciklit të Kreshnikëve. Dhe në një shqyrtim iluziv, duket sikur cikli i kreshnikëve ka lindur nga skulptura, nga këto forma e gdhendje madhështore të këtij arti mistik, derdhur në formacione shkëmbore plot trille artistike të universit të bjeshkëve. Kushdo që ndodhet përballë kësaj simfonie sublime e ka krejt të lehtë të besojë tek zanat, orët, shtojzovallet, dhitë e egra të Lugjeve të Verdha. I shtangur përpara këtyre ansambleve skulpturale Fishta ka shestuar në ndërgjegjen e vet artistike imazhe vegimesh danteske, si në këto vargje:
“N’at Bigë t’ Shalës ka dalë kuçedra,
Me shtatë krena e gjashtë palë kthetra,
E për krye nga një sy n’ballë,
Bishtin gjatë me i mbrrijtë në zallë,
Që tue u hjedhë e tue u përdredhë,
Tue hingllue tue turfullue,
Zjarr e surfull tue flakrue,
Krepa e gurë tue rrokullue,
Dukagjinin don me e shue,
Per një dhunë që i baka Shala
Kur dragoni Vocërr Bala,
Fmijë tue kenë n’nji shpellë të malit,
N’gjumë e ndeshka e një sy prej ballit,
Nxjerrë ia paska me një hu,
Kah ia ngulka deri n’tru…” /Nga Zija VUKAJ, publikuar në Facebook/