Prof. Dr. Lush Susaj: Vazhdon vjedhja e subvencioneve të bujqësisë dhe penalitetet nga ana e BE
Fondet janë vjedhur, kanë ngelur vetëm dosjet fiktive që nuk vlejnë për asgjë
Sikurse dihet, në vitin 2023, zyra OLAF (BE) gjeti shkelje të rënda në drejtim të administrimit dhe të përdorimit të fondeve të BE, të destinuara për bujqësinë. Është fjala për fondet që nuk arritën kurrë tek bujqësia e as tek specialistët dhe fermerët e Shqipërisë.
Unë gjithnjë kam shkruar dhe folur mbi korrupsionin dhe abuzimin me fondet dhe me investimet e faturuara për bujqësinë, të cilat nuk përfunduan kurrë tek fermeri e as tek strukturat e prodhimit dhe të marketingut bujqësorë.
Unë nuk dua që të përsëris asgjë nga ato që kam shkruar e folur më parë. Ama, dua që për lexuesit dhe bashkëpuntorët e mi të kujtoj faktin që, të gjitha ato që kemi thënë e shkruar janë vetëm maja e ajzbergut të këtij korrupsioni dhe abuzimi me pasoja për të tashmën e të ardhmën e jetës shoqërore, politike dhe demografike të Shqipërisë.
Në të gjitha rastet, unë kam qenë dhe do të jem në krah të interesit të publikut, e jo në krah të klaneve që guxojnë të abuzojnë, të vjedhin e të dezinformojnë për çdo fond dhe investim të adresuar në bujqësi dhe blegtori, e që përfundon në xhepat e korrupsionit.
Në fillim, unë as që e kam besuar se do të mund të kishte një çmënduri dhe marri shoqërore e politike kaq e thellë e shkatërrimtare, e cila do të mund të uzurponte, paralizonte e turpëronte institucionet e bujqësisë e të shtetit. Për të ardhur deri në këtë situatë pothuajse të pashpresë, ku fondet dhe investimet për bujqësinë janë vjedhur e po vidhen, sepse shohim që kudo në terren nuk ka mbetur asgjë, përveçse dosjeve fiktive dhe fotografive të kronikave të propagandës

Heshtja ndaj korrupsionit me fondet e IPARD është krim me pasoja për bujqësinë.
Në vitin 2023, kotrolli e BE gjeti abuzivizëm dhe vjedhje të hapura të fondeve të IPARD2, të cilat nuk kishin përfunduar tek bujqësia. Sipas OLAF, fondet rezulton se janë abuzuar, duke ua ndërruar destinacionin, apo duke i përdorur si shpërblime për tarafin nepotikë e hajdutërorë, etj. Edhe pse Shqipëria e subvencionon bujqësinë 6 herë më pak edhe se sa Kosova, apo 10 herë më pak se sa Maqedonia, apo mbi 16 herë më pak se vëndet e BE, përsëri abuzuesit më të paskrupulltë e më të neveritshëm më rezultojnë që të jenë zyrtarët dhe qeveritarët e Shqipërisë. Sigurisht që abuzime ka patur edhe në Greqi, edhe në Turqi, edhe në Kroaci dhe në vëndet e tjera të Europës, ama dihet se si në këto vënde ka reaguar shteti dhe ligji.
Vetëm në Shqipëri, akoma duket që po vazhdon ecja kundër rrymës, ligjeve dhe normave të BE. Kjo duket në faktin se edhe pasi i kanë abuzuar e vjedhur hapur fondet e IPARD2, ka mbi 3 vite që strukturat e sigurisë heshtin, e ku duket sikur po i bëjnë karshillëk edhe strukturave të BE që kanë për mision mbrojtjen e fondeve nga të taksave të vëndeve të tyre. Është heshtje irrituese, sidomos kur e mendon se janë abuzuar e vjedhur fondet që BE i ka dhënë për popullin shqiptarë, e jo kurrë për hajnat dhe as për të korruptuarit e administratës dhe politikës shqiptare. Kur zyrtarët e BE e mësuan dhe e vërtetuan, që janë mbi 4 miljon euro të dhëna për tregje qytetesh, pra jashtë destinacionit. Apo kur e mësuan se shuma të tjera të mëdha janë abuzuar dhe përfituar nga zinxhiri i agjensive dhe OJF-ve korruptive të familjarëve dhe shokëve të qeveritarëve, natyrishtë që e stopuan
Dëmi i vërtetuar, e që me patjetër i duhet kthyer BE është 38 miljon euro, e që Shqipëria akoma nuk po i kthen, pasi paratë duket që kanë humbur dorë më dorë të zinxhirit të gjatë nepotikë e hajdutërorë.
Problemi nuk duket që qëndron vetëm tek moskthimi i fondeve të abuzuara, pasi dihet që e keqja më e madhe qëndron tek humbja e besueshmërisë tek institucionet. Duket që tashmë ka ra edhe marrëveshja e negociuar, si dhe besueshmëria dhe struktura e ngritur për administrimin e fondeve të BE. Sikurse dihet edhe fakti që rinegocimi i një marrëveshje dhe strukture të re, është një punë shumë e vështirë, e që kërkon kohë.Në këtë vazhdë abuzimesh, duket që dëmin më të madh po e shkakton mungesa e analizës dhe e hetimit ligjor e në shërbim të nxjerrjes së përgjegjësisë. Kjo mungesë duket që po e nxitë dhe po e favorizon edhe më shumë vazhdimësinë e traditës abuziviste e korruptive. Duket që përveç fondeve të abuzuara të BE, tani po vazhdon edhe ajo vjedhja e fondeve të buxhetit të shtetit, që sikurse duket nuk kanë përfunduar e nuk po përfundojnë tek bujqësia, por po kanalizohen për klanët dhe shokët e pangopur të supër administratës së partisë. Në këto kushte, që nga viti 2023, kohë kur u njoftua edhe bllokimi i fondeve IPARD3, e që janë 112 miljon euro, po mbizotëron heshtja dhe mungesa e ndëshkimit të fajtorëve, gjë që ka shkaktuar dyshim dhe mosbesim edhe më të madh tek strukturat e BE. Bllokimi i fondeve të IPARD3, duket që do të shkaktojë pasoja të rënda edhe mbi bujqësinë dhe ekonominë shqiptare, për shkakun se një pjesë e madhe e këtyre fondeve (112 miljon eurove), janë të destinuara për ndërtimin e laburatorëve të analizave kimike, me impakt jetikë në forcimin e sigurisë ushqimore dhe sigurisë së eksporteve. Në kushtet kur strukturat e sigurisë dhe zyrtarët e korruptuar e të papëgjegjshëm të Shqipërisë nuk po hetojnë abuzuesit, e as nuk po i kthejnë paratë e BE sipas marrëveshjes, marria duket që po merr një drejtim tjetër për tek fondet e buxhetit të shtetit, për të cilat ka sinjale të forta, që nuk po arrijnë të shkojnë tek bujqësia, por tek klanet e abuzivizmit. Më e keqja duket që po na shfaqet tani, kur të korruptuarit po hiqen dhe bëjnë si të verbër e si të shurdhër edhe para vjedhjes së hapur e të përvitshme të fondeve të buxhetit për bujqësinë. Sikur nuk mjaftoi heshtja idjote ndaj abuzimit të fondeve të IPARD2 dhe ngrirja e 112 milion eurove të IPARD 3, që sikurse po duket nga korrupsioni aktual, ato do të digjen pasi nuk mund të aktivizohen as vitin tjetër e as në vitin 2027. Që dua të them se Shqipëria e varfër, përveç fondeve të abuzuara të buxhetit për vota dhe influenca, duket që ka humbur dhe po humbet edhe mbi 150 milion eurot e BE.

Shqipëria nuk e ka luksin për të toleruar korrupsionin me fondet e bujqësisë
Në këtë fazë, Shqipëria do të duhej që të bëhëj më serioze se kurrë, e gjitha në shërbim të rritjes së besueshmërisë ndaj strukturave financuese të BE, duke zbatuar të gjitha kushtet dhe pikat e marrëveshjeve të negociuara. Në këtë fazë, administrata e Shqipërisë nuk duhet dhe nuk mund të bëjë lojëra dhe as vetëdiskreditim, duke menduar që askush nuk po e shef dhe nuk po ja kupton klanet dhe skemat e abuzimit me fondet e buxhetit të adresuara për bujqësinë shqiptare, e që sikurse më parë nuk po arrijnë tek fermeri e as tek prodhuesit dhe eksportuesit.
Pavarësishtë nga konspiracioni dhe trimëria prej të marri në abuzivizëm e hajdutëri, mendoj se ka ardhur koha që këta keqbërës të kuptojnë se të gjithë po e shohin lojën e pështirë, grykësinë dhe shpërdorimin e tyre. Administrata nepotike e kakistokratike, duhet të mos harrojë faktin që institucionet e BE, kanë një pamje dhe informacion të plotë për atë që ka ndodhur me fondet e BE dhe atë që aktualishtë po ndodh edhe me fondet e buxhetit të shtetit të varfër për bujqësisë, prodhimin, punësimin dhe sigurinë ushqimore.
Specialistët dhe intelektualët e Shqipërisë, madje edhe gazetarët e kronikave, pavarësishtë nga gojëkyçja dhe heshtja prej frikës, deri dhe për bukën e gojës dhe sigurinë, e din dhe po e përgojojnë faktin që vetëm në një rreth të vogël që gjithësej ka 12227 ha tokë bujqësore, AZHBR sikurse në vitin 2024, edhe tani në vitin 2025, ka subvencionuar rreth 11400 ha të mbjella me bimë eterovajore. Në atë zonë, që të gjithë specialistët e rajonit e dinë shumë mirë faktin që e gjithë sipërfaqja e mbjellë me bimë eterovajore nuk është më shumë se 3500-4000 ha. Atëherë shtrohet pyetja se ku është marrë apo ku është gjetur toka për 7000 ha të mbjella të tjera fiktive, pa asnjë bazë e pa kryer asnjë mbjellje? Në këtë lojë të vogël, kuptohet skema e një loje tjetër shumë të madhe me fondet e buxhetit të subvencioneve të bujqësisë, që akoma nuk po arrijnë në destinacionin e tyre, tek fermeri dhe as tek prodhimi bujqësorë.

Sipas përllogaritjeve të thjeshta i bie që vetëm në një rreth apo zonë të vogël, janë shtuar në mënyrë fiktive rreth 7000 ha, duke i subvencionuar me nga 300 euro/ha, nga ku rezulton që janë abuzuar e vjedhur mbi 2,1 miljon euro (7000 x 300 = 2 100 000 euro).
Imagjinoni se si është vepruar dhe po veprohet edhe në zonat e tjera, ku fondet e buxhetit për bujqësinë po përfundojnë në xhepat e strukturave nepotike, e jo tek prodhimi bujqësorë.
Kjo skemë me rreth 7000 ha të financuar në mënyrë fiktive nuk është rasti i vetëm, sikurse nuk është as një rast i paditur, pasi njerëzit e kan sinjalizuar, e ku diskutimi rreth këtyre marrive hajdutërore vazhdon kudo nëpër mjediset ku ka specialistë dhe fermer të rregullt, e që nuk po arrijnë që të marrin as subvencionet që ju takojnë. Në një interesim për të kuptuar më shumë nga fermerët, agronomët dhe gazetaret e kronikës faktin se si ka mundësi që të ndodh kaq hapur kjo idjotësi, unë mësova se si AZHBR-ja, ka përdorur dhe po përdorë një praktikë të tillë ku as agronomi, as kryeplaku dhe as struktura shtetërore e agjensisive rajonale të bujqësisë, nuk kanë asnjë dijeni e asnjë rrol. Pasi agronomët, AREB-et, etj, nuk i bëjnë më projektet, as nuk e kontrollojnë zbatimin e tyre, as nuk informojnë mbi sipërfaqet e mbjella dhe strukturat varietore, etj. Që do të thotë se agronomët në zhdukje nuk pyeten fare, sepse ata nuk mund të abuzojnë kurrë kaq hapur. Duket që klaneve ju intereson menjanimi total edhe i strukturave shtetërore  të këshillimit bujqësorë mbi tokën bujqësore, përparësitë dhe strukturat e mbjelljeve dhe të prodhimit të fermave, zonave dhe rajoneve. Mbase do të vazhdojë përseri heshtja dhe mbajtja e pazbuluar e kësaj pateteje të nxehtë të korrupsionit varfërues. Ama gjithëkush duhet të kuptojë faktin që publiku, media dhe bota po na monitoron e shef. Unë mendoj se nga kjo lloj sjellje nuk mund të përfitojë askush. Përkundrazi që të gjithë po humbim ekonominë, dinjitetin, të ardhmën dhe besueshmërinë. Prandaj, shteti dhe politika duhet të bëhen seriozë, që sa më parë të bëhët drejtësi e të kthehen fondet e abuzuara të IPARD 2. Duhet të bëhen seriozë e të mbyllen sa më parë shtigjet e hapura të korrupsionit me fondet e buxhetit për bujqësinë, duke neveritur skemat e fiktivitetit dhe çdo shpërdorim tjetër të fondeve të bujqësisë. Duhet të kuptohet fakti që nuk mund të kërkohen fonde e as investime nga BE, në një kohë kur në Shqipëri vazhdon abuzivizmi dhe vjedhja njëlloj si më parë edhe me fondet e buxhetit të shtetit, sikurse vazhdon edhe pandëshkueshmëria. Në këtë betëjë nuk është koha për të kyçur gojën, por është koha për të folur e për të drejtuar gishtin drejtë skemave dhe klaneve abuziviste që po e varfërojnë dhe po diskreditojnë shtetin dhe shoqërinë e varfër shqiptare.
 Kulturë
 Kulturë Muzikë
 Muzikë


