E shtunë, Gusht 2, 2025
KreuPakategoriLAJMI // Perplasje e ashper mes Presidentit Malazez Milatoviq dhe Zv/ Kryeministrit...

LAJMI // Perplasje e ashper mes Presidentit Malazez Milatoviq dhe Zv/ Kryeministrit Shqiptar Nike GJELOSHAJ..

Përplasje e ashpër mes presidentit malazez Milatoviq dhe zv/kryeministrit Gjeloshaj

Një përplasje serioze institucionale ka shpërthyer në Mal të Zi mes presidentit Jakov Milatoviq dhe zëvendëskryeministrit e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeljoshaj.

Në qendër të debatit është kthimi i Ligjit për Tatimin mbi Pasuritë e Paluajtshme nga ana e presidentit për rishqyrtim në Kuvendin e Malit të Zi, gjë që, sipas Kabinetit të presidentit, ka nxitur një reagim kërcënues nga ana e zëvendëskryeministrit Gjeloshaj.

Kabineti i Presidentit të Malit të Zi ka bërë të ditur se pas kthimit të këtij ligji me arsyetim të qartë dhe argumentim juridik, ministri Gjeloshaj i ka dërguar një sërë kërcënimesh dhe mesazhesh të papërshtatshme presidentit Milatoviq. Për këtë, zyra e Presidentit ka njoftuar Drejtorin e Policisë dhe ka kërkuar nga institucionet kompetente të reagojnë menjëherë, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, njofton rtk.

“Presim që institucionet përkatëse të reagojnë menjëherë, në përputhje me detyrimet e tyre sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Malit të Zi. Kërkojmë nga kryeministri që pa vonesë ta shkarkojë zëvendëskryeministrin. Çdo minutë heshtjeje në këtë moment është një mesazh se kërcënimet janë të lejuara”, thuhet në deklaratën e Kabinetit të presidentit Milatoviq.

Po ashtu, sipas Kabinetit, motivi i reagimit të Gjeloshajt lidhet me proceset gjyqësore shumëvjeçare mes Komunës së Tuzit dhe kompanisë “13 jul Plantaže” për llogaritje të paligjshme të tatimeve. Siç thuhet në njoftim, Gjeloshaj – atëherë kryetar i Komunës së Tuzit – ka qenë përgjegjës për veprime që tashmë janë objekt kallëzimi penal nga ana e kompanisë në Prokurorinë Speciale të Shtetit.

Sipas këtij njoftimi të Kabintetit të presidentit, Ligji i kthyer nga presidenti parashihte edhe veprim retroaktiv që do të ndihmonte Komunën e Tuzit të mbyllte proceset gjyqësore në dëm të kompanisë ‘13 jul Plantaže’, duke legalizuar tatime të paligjshme dhe duke dëmtuar rëndë financiarisht kompaninë.

“Prandaj, kërcënimet e zëvendëskryeministrit nuk janë çështje politike, por çështje e lirisë, sigurisë dhe dinjitetit të institucioneve shtetërore dhe të funksionit të presidentit”, thekson Kabineti i presidentit malazez, raporton ‘Pobjeda’.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri Nik Gjeloshaj i ka hedhur poshtë akuzat si “gënjeshtra të rënda”, duke deklaruar se asnjëherë nuk ka kërcënuar presidentin Milatoviq dhe se komunikimi ndërmjet tyre, që ai e ka ruajtur, është dëshmi e qartë për këtë.

“Me indinjatë të thellë e hedh poshtë si një të pavërtetë të rëndë deklaratën e presidentit të rastësishëm Jakov Milatoviq dhe me përgjegjësi të plotë i bëj të ditur opinionit publik se është një gënjeshtër e madhe që unë e kam kërcënuar atë. Mesazhet që mbeten si gjurmë të komunikimit janë dëshmia më e mirë për këtë”, ka deklaruar Gjeloshaj.

Ai ka theksuar se dyshon që “presidenti i rastësishëm”, siç e quan ai, po përhap këto informacione për të larguar vëmendjen nga pretendimi i tij se presidenti e kishte refuzuar ligjin për shkak të lidhjeve të kumbarisë me Nebojsha Vuksanoviqin, me qëllim përfitimi personal për të dy.

“Të gjithë komunikimin që ka ndodhur mes meje dhe atij e kam ruajtur dhe ndaj i dërgoj mesazh që, nëse nuk kërkon falje, do ta publikoj publikisht që e gjithë Mali i Zi të shohë me çfarë presidenti kemi të bëjmë”, ka thënë Gjeloshaj.

Megjithatë, presidenti Milatoviq ka publikuar për mediat përmbajtjen e komunikimit me Gjeloshajn për të dëshmuar, sipas tij, gjuhën kërcënuese të përdorur ndaj tij:

Gjeloshaj: Keni bërë një gabim të madh, duke e përdorur pozitën e presidentit për interesat e kumbarit tuaj. Mendoj se nuk duhej të hyje në këtë çështje dhe prit reagim të paprecedentë të shqiptarëve nga të gjitha nivelet dhe kudo që kemi ndikim.

Milatoviq: Nik – fol kështu me ata me të cilët je mësuar, me mua jo. Të përshëndes.

Gjeloshaj: Turp. Edhe më keq me të tillë si ju. Me nivelin tuaj të vendimeve për interesa kumbarie, kjo është turp. Por do të marrësh përgjigjen që e meriton.

Milatoviq: Fare nuk e di për çfarë po flet. Çfarë kumbarie? Lexo argumentimin juridik.

Gjeloshaj: Po me këto truke “me kë je mësuar”…

  1. Milatoviq: Mos më shkruaj më në këtë mënyrë.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Shkrimet e fundit