VIDEO / Prej vitesh në harresë, nis rikonstruksioni i rrugës “Roza Lejn” në lagjen “Mark Lula. Beci: Kishim shumë kërkesa për këtë rrugë
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka inspektuar fillimin e punimeve për rikonstruksionin e rrugës “Roza Lejn” dhe degëzimeve të saj në lagjen “Mark Lula”, një investim që i jep fund pritjes shumëvjeçare të banorëve të kësaj zone. Ky projekt i rëndësishëm infrastrukturor përfshin ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve, asfaltimin dhe ndriçimin e plotë të 1.6 km rrugësh të brendshme, duke përmirësuar ndjeshëm kushtet e jetesës për mbi 2 000 banorë.
“Ka qenë jashtëzakonisht keq rruga dhe ka qenë një prej shqetësimeve të para edhe nepërmjet banorëve edhe në Këshillin Bashkiak. Kemi filluar procedurën sapo kam marrë detyrën por sigurisht që do kohën e vet por tani jemi në fillimin e punimeve”, deklaroi kryebashkiaku Beci.
Banorët u shprehën se kanë bërë shumë kërkesa ndër vite për këtë rrugë dhe sipas tyre është hera e parë që bëhet një investim i tillë.
- Projekti realizohet përmes një bashkëfinancimi mes Bashkisë Shkodër dhe Qeverisë Shqiptare, dhe synon transformimin e një zone që për dekada ka qenë jashtë vëmendjes së investimeve publike. Investimi parashikon ndërhyrjen në rrjetin e kanalizimeve në të gjithë zonën, asfaltimin dhe ndriçimin e plotë të këtij segmenti rrugor në qytetin e Shkodrës.