Shkeljet te Ministria e Arsimit/ Largohet nga detyra Sekretari i Përgjithshëm, Erzen Tola

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, Erzen Tola, është larguar ditën e sotme nga detyra.
Burime për mediat, bëjnë me dije se largimi i tij ka ardhur pas rekomandimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili në dy raporte të një pasnjëshme ka identifikuar shkelje të rënda në veprimtarinë e Tolajt.
Tola është punësuar fillimisht nga Ogerta Manastirliu, dhe më tej, ajo aktualja Mirela Kumbaro. Të dy ministret kanë refuzuar me forcë për të zbatuar dy herë rekomandimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) për shkarkimin e tij nga detyra.
Sipas audituesve të KLSH-së, shkeljet e Tolës, me rrogë 10 mijë euro, lidhen me moskryerjen e detyrave funksionale në kohë, vonesat ose mungesën e inicimit të proceseve gjyqësore për rikthimin e fondeve të përfituara nga studentë dhe nëpunës civilë në shkelje të kontratave, si dhe me keqadministrimin e mbështetjes financiare për studentët e ekselencës.
Siç ka raportuar më herët Boldnews, në zyrën e ministres Kumbaro është dorëzuar një raport, në të cilin konstatohet se Erzen Tola, “në cilësinë e nëpunësit civil më të lartë…nuk ka ndjekur në mënyrë të plotë zbatimin e vendimeve të Gjykatës së Lartë për rastin e punonjësve të larguar nga detyra, si edhe nuk ka siguruar kontroll efektiv mbi shpenzimet e karburanit”, veprime që kanë sjellë pasoja dhjetra milionë lekë dëm në buxhetin institucional.
Po ashtu thuhet se Sekretari i Përgjithshëm nuk ka marrë masat për rikthimin në llogaritë e institucionit të një shume prej rreth 7.5 milionë lekë të reja, “të përfituara padrejtësisht nga disa zyrtarë të larguar nga detyra”.
Të paktën dy ish-punonjës të Ministrisë së Arsimit janë paguar për largim të padrejtë nga detyra, ndërkohë që Gjykata e Lartë ua ka rrëzuar pretendimet. Në këto kushte, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, Erzen Tola, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm, duhet të kishte nisur procedurat për rikthimin e shumave të fituara në mënyrë jo-ligjore.
Më tej, audituesit e KLSH-së konstatojnë se Erzen Tola nuk ka administruar dokumentacion justifikues për shpenzimin e karburantit për vitet 2022-2023, me një dëm ekonomik që përllogaritet në vlerën e rreth 5 milionë lekë të reja.

