Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan ka thënë se zgjedhjet lokale të planifikuara për 31 mars do të jenë të fundit në të cilat ai do të jetë në krye të shtetit turk, ka njoftuar të premten agjencia turke e lajmeve TRT Haber.
“Këto zgjedhje janë të fundit për mua, sipas mandatit të dhënë nga ligji. Rezultati që do të dalë do të jetë transferimi i një trashëgimie te vëllezërit e motrat e mia që do të vijnë pas meje”, citohet të ketë thënë ai, i cili më tej tha “shpresojmë të fillojmë një epokë të re që nga 1 Prilli.”
Mandati i Erdoganit si president përfundon më 2028.
- Erdogan, politikani më i suksesshëm i Turqisë moderne, ka udhëhequr vendin për më shumë se dy dekada. Fituesi i disa zgjedhjeve që nga viti 2002, Erdogani u rizgjodh për një mandat pesëvjeçar gjatë zgjedhjeve të kontestuara në maj të vitit 2023.